Një tjetër traget, me mbi 1.900 udhëtarë në bord, shënon vonesa të theksuara në grafikun e lëvizjes nga Italia drejt Durrësit.
Në bordin e tragetit “Azzurra”, që duhej të nisej para mesnatës për të mbërritur në 8 të mëngjesit të sotëm në Durrës, ndodhen 1.916 udhëtarë, kryesisht familje emigrantësh që kthehen në atdhe për pushimet e verës.
Mediat italiane njoftojnë se trageti është nisur drejt Durresit sot në orën 07.30 për shkak të problemeve në furnizimin me karburant dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek udhëtarët, të cilët i kanë kaluar orët e natës në port.
Në Durrës, kapiteni i portit Taulant Allka bën të ditur se trageti pritet të mbërrijë rreth orës 15.00 dhe pas një pushimi të shkurtër do të nisë sërish lundrimin drejt portit të Barit.
Fundjavën e kaluar, 820 udhëtarët e tragetit “Bridge” të linjës Ankona-Durrës, që pati defekt në njërin prej motorëve, prekën tokën me 16 orë vonesë, duke u ankuar për standardet e ulëta të këtij mjeti lundrues që lidh dy brigjet e Adriatikut. /b.d