Dikur ato ishin krenaria e Flotës Luftarake Detare. Tashmë ato qëndrojnë si relikte në dokun e bazës së dikurshme, nga edhe e filluan historikun e tyre, në Bazën e Pashalimanit. Ato ishin tmerri i vendeve të NATO-s, në “të ashtuquajturat” vitet e “Luftës së Ftohtë”, ku veçse një nga katër nëndetëset që dispononte Flota Detare Shqiptare, ka shumë mundësi t’i shpëtojë “çuarjes” për skrap. Bëhet fjalë për nëndetësen që njihet me kodin ushtarak “Tufani” apo siç njihet ndryshe nga të gjithë ne, “Nëndetësja 105”.
Ndonëse nuk ka ekzistuar asnjë e tillë me numër indeksi ushtarak, por veçse trillim i kinematografisë shqiptare, ne sërish na pëlqen ajo histori e bukur e filmit “Ballë për ballë”, përkatësisht konfliktin real të ushtarakëve shqiptarë dhe atyre rus në Bazën e Pashalimanit, – kur këta të fundit në mbyllje të marrëdhënieve tona diplomatike, kërkuan ti rrëmbenin mjetet lundruese me forcë.
Në strehën Pashalimanit, gjirit detar të përmendur nga gjeografi grek Skylaksi, që në shekullin e V-të para Krishtit; në vitin ’43 ka qenë një flotë e vogël italiane dhe më pas e përdorur nazistët. Nëndetëset shqiptare janë strehuar në këtë gji, që nga koha e ardhjes së tyre, deri në vitin 1987. Nga baza e Pashalimanit janë zhvendosur më në jug. Kanë udhëtuar për një strehë tjetër. Në qershor të vitit 1987, nëndetëset u përqendruan në bazën e Porto Palermos. Kjo bazë ishte tuneli për të cilin u punua për më shumë se 20 vite nga forcat ushtarake shqiptare dhe kryesisht u shfrytëzua puna e ushtarëve dhe xhenierëve, të cilët shkonin ushtarë në këtë zonë ushtarake. Baza e Palermos ishte projektuar nga kryeministri i kohës Mehmet Shehu, për tu bërë baza e një mjeti tjetër detar. Këto quheshin katër-silurues.
Sipas komandantit të njërës nga nëndetëset, B. Nika, “provat për nëndetëset në Palermo u kryen për një periudhë 8-mujore, nga qershori i vitit 1986, deri në marsin e vitit ’87. Ishin 4 nëndetëse, nëndetësja 3 bëri provat. Provat kishin të bënin me hyrjet dhe daljet, si dhe ngarkimet. Muaji prill, solli zhvendosjen e 4 nëndetëseve nga baza e Pashalimanit me të gjitha resurset e tyre dhe u përqendruan në Palermo, në bazën më të re. Në vitin 1992, nëndetëset u rikthyen në bazën e hershme të tyre në Pashaliman”. Nëndetësja tre, që komandohej nga B. Nika, qëndroi 8 vite në dok. Në vitin ’88 u fut në dokun e Pashalimanit.
Pashalimani
Baza Detare “u njoh” si një bazë sovjetike që kontrollonte Mesdheun në vitet ’50. Ky vend u bë “pika e nxehtë”, mes ushtarakëve shqiptarë dhe atyre sovjetikë, kur Shqipëria u shkëput nga “Traktati i Varshavës”, duke mbajtur katër nëndetëse të tipit “Whiskey”, në bazë të marrëveshjes. Pas rënies së regjimit komunist, baza u rindërtua nga Turqia në bazë të një marrëveshje bilaterale me këtë shtet, të cilët kanë të drejtë ta përdorin atë.
Baza aktualisht kontrollohet nga ushtria turko-shqiptare, në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi e nënshkruar në vitin 1992, ku pala turke do të rindërtonte bazën detare dhe do të kishte mundësinë e përdorimit të saj. Kësisoj, Turqia u bë po ashtu, modernizuesi i ushtrisë shqiptare dhe të Akademisë Detare si dhe riparimit të anijeve në bazën e Pashalimanit.
Tre nga katër anijet patrulluese të tipit “Damen Stan” u ndërtuan në Pashaliman, të kompletuara në vitin 2014. Imazhet e katër nëndetëseve edhe sot mund të shihen nga sateliti , të cilat “prehen” në portin e vogël ushtarak. Pranë kësaj baze detare u zhvillua stërvitja e fundme ushtarake në prill të vitit 2016 e quajtur “Sarex 16”.
Të dhëna për Forcat Detare Shqiptare
Data e 15 gushtit 1945 njihet si dita e krijimit të Flotës Luftarake Detare (FLD). Po atë ditë u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafëve trofe, me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloza të lehtë dhe filluan patrullimin e ujërave bregdetare në Vlorë dhe Sarandë. Në këtë kohë regjistrohen disa incidente me anije luftarake greke. Më 6 korrik 1945 dy anije greke u futën në kepin e Qefalit dhe rrëmbyen një qytetar shqiptar, duke e marrë me vete në Korfuz. Anijet greke u tërhoqën, pasi artileria bregdetare ,shqiptare hapi zjarr ndaj tyre. Më 17 korrik 1945, tre anije luftarake greke u afruan në bregun e Himarës dhe qëlluan me mitraloza shtëpitë e banimit.
Nënshkrimi i “Paktit të Varshavës”, solli si pasojë, përshpejtimin e modernizimit dhe kompletimit të Flotës Detare të Shqipërisë, veçanërisht, pas vitit 1957. Në tetor të vitit 1957, bëri një vizitë në Shqipëri, Ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, mareshali Zhukov. Zhukov, vlerësoi pozicionin strategjik të Pashalimanit për të kontrolluar hyrjet në Mesdhe, ngushticën e Gjibraltarit dhe kanalin e Suezit.
Flota Sovjetike synonte të zgjeronte fushën e saj të veprimit dhe të krijonte baza të përhershme në Mesdhe. Admirali Ivan Kasatonov, komandant i Flotës së Detit të Zi, në fillim të viteve ’90 ka rikujtuar një bisedë me një nga nënoficerët e nëndetëseve të dislokuara në Vlorë në vitin 1959, gjatë shërbimit të parë afatgjatë të Flotës Sovjetike në Mesdhe: “Mua m’u duk atëherë se, marinarët e kuptonin rëndësinë e prezencës së forcave tona detare në Detin Mesdhe”. “Anijet e Flotës Ruse kanë qenë këtu, në Detin Mesdhe, që në kohën e mami Katerinës (Katerina e II-të)”, më tha nënoficeri i grupit të torpedove, duke vijuar sipas tij se “Ne e dimë se marinarët, nën komandën e Spiridovit, Ushakovit dhe Senjavinit kaluan, e luftuan këtu”.
Në fund të nëntorit të vitit 1957, në qytetin e Durrësit u zhvillua ceremonia e inaugurimit të Brigadës së Parë të Nëndetëseve. Gjatë vitit 1958, u krye specializimi i personelit drejtues të nëndetëseve në Akademinë e Specialiteteve të Nënujsave, në Sevastopol dhe Krime, të Bashkimit Sovjetik. Katër nëndetëset e para, arritën në bazën e Pashalimanit në shtator të vitit 1958. Më 17 shtator 1958, në katër nëndetëset u zhvillua ceremonia e uljes së flamurit të Bashkimit Sovjetik, duke u ngritur flamuri shqiptar.
Në fillim të vitit 1960, Brigadës së Nëndetëseve iu shtuan edhe 8 nëndetëse të tjera, të tipit Projekti 613 klasi Whiskey. Më 4 qershor 1961, pati një përplasje të ashpër, deri në prag të përdorimit të armëve mes ushtarakëve sovjetikë që kërkonin që në ikje e sipër, të merrnin me forcë nëndetëset e Pashalimanit, detarëve e eprorëve të tyre shqiptarë, që ishin të vendosur, që të mos lejonin largimin e nëndetëseve.
Më 15 gusht 1961, në bazën e Pashalimanit vjen për inspektim Enver Hoxha, i shoqëruar nga Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu dhe shumë kuadro të tjerë të lartë të kohës. Enver Hoxha përgëzoi detarët e oficerët për qëndresën me çdo kusht, për mbajtjen e nëndetëseve luftarake.
Periudha e viteve 1961-1980, shënoi zhvillimin e mëtejshëm të Forcave Detare, si në krijimin e disa reparteve dhe kompletimin me anije luftarake moderne, të kohës. U krijua gjithashtu edhe Shërbimi Hidrografik, si organizim sigurimi lundrimor detar dhe ai i veprimeve luftarake, – duke përgatitur e ngriti një varg fenerësh (faresh) në gjithë bregdetin. U ngritën dhe u modernizuan mjaft pika sinjal-vrojtuese, si dhe u pajisën me një rrjet të gjerë radiolokatorësh.
Periudha e viteve 1980-1990, mund të konsiderohet si periudha e vijueshmërisë së lundrimeve, si një mbijetesë në drejtimin e sigurisë së gatishmërisë teknike të anijeve mbiujëse e nënujëse. Një kontribut të madh në këtë drejtim ka dha edhe Kantieri Detar i riparimit të anijeve në Pashaliman. Më 1998, si rezultat i kohës së gjatë të përdorimit, dolën jashtë strukturave luftarake të Forcave Detare, të 4-ta nëndetëset e saj, pas një veprimtarie 40-vjeçare.
Forcat detare sot
4 anije patrullimi tip Kronshtadt
Së paku 1 motovedeta tip Shangai II (nga 6 të tilla)
Një dragaminë të tipit PO 2
Katër silurues të tipit Huchuan (nga 24)
Një motoskaf patrullimi Ancor 25 (nga 4 të tillë)
Një dragaminë tip T 43
Një dragaminë tip 301
Nëndetëset shqiptare apo Projekti 613 klasi Whiskey
Projekti 613 apo emërtimi i Natos klasi “Whiskey”, ishin nëndetëse konvencionale të brezit të dytë, pas asaj të parës “Projektit 611”, apo klasi “Zulu”, që u ndërtuan në Bashkimin Sovjetik pas mbarimi të Luftës së Dytë Botërore. P-613 janë ndërtuar ndërmjet viteve 1949-1958, me gjithsej 215 (në Bashkimin Sovjetik) njësi, duke mbajtur rekordin për këtë tip nëndetëseje, të ndërtuar në kohë paqeje.
Këto nëndetëse rridhnin nga kërkesa e programit sovjetik për ndërtimit e anijeve luftarake, program i viteve 1946-1955. Konceptimi i nëndetëseve konvencionale sovjetike të mbas luftës bazohej në përvojën e fituar gjatë luftës së dytë botërore, tek nëndetëset sovjetike të klasit S dhe sidomos tek nëndetëset e kapura gjermane U-Boat i tipi “XXI”, nga të cilat u morën shumë zgjidhje teknologjike, konstruktive dhe hidromekanike për arsye sepse tipi XXI, ishin nëndetëset më të arrira në atë kohë dhe përbënin një përparim të madh në fushën e teknikës së thellësisë.
21 njësi të tjera të P-613 u ndërtuan në Republikën Popullore të Kinës, të njohura ndryshe si tipi 03. Në total u ndërtuan 236 njësi gjithsej. Më 2 dhjetor 1951 i prezantohet Flotës Sovjetike nëndetësja e parë P-613 me numër bordi S-80. S-80, u ndërtua në kantierin “Krasnoye Sormovo” dhe ishte njësia e parë e një serie prej 215 nëndetësesh konvencionale P-613 të ndërtuar në Bashkimin Sovjetik. P-613 ishin nëndetëse të arrira; me aftësi mjaft të mira detare.
Historia e Projektit 613
Fillimi i punës për projektimin e nëndetëseve P-613 datojnë në vitet 1942 – 1944. Konstruktorët sovjetikë fituan përvojë të madhe gjatë punës për projektimin dhe ndërtimin e nëndetëses klasi S. Në fund të vitit 1944 sollën në qytetin e Kronshtadit, mbetjet e nëndetëses së mbytur gjermane U-boat tipi VIIC me numër bordi U-250, e cila kishte të dhëna teknike-taktike pothuajse të njëjta me ato që kërkoheshin nga projekti 608. Komisari i Flotës Sovjetike të asaj kohe admirali Nikolla Kuzniecova, merr vendim për ndërprerjen punës për projektimin e projektit 608, deri në mbarimin e analizave të zgjidhjeve konstruktive të përdorura në nëndetësen gjermane.
Nga viti 1945, Bashkimi Sovjetik kishte të tëra llojet e nëndetëseve gjermane të luftës së dytë botërore, duke përfshirë nëndetëset si njësi, ashtu edhe dokumentacionin teknik për secilën. Interes më të madh për sovjetikët, përbënin nëndetëset gjermane të brezit së fundit lloji XXI, të cilat vlerësoheshin si nëndetëset më të mira për atë periudhë. Disa nëndetëse të llojit XXI kanë bërë pjesë në përbërjen e Flotës Sovjetike, deri në fillimin e viteve ’60. Zgjidhjet konstruktive që ishin përdorur në këto nëndetëse do të kishin një domethënie dhe ndikim të madh në projektimin e mëtejshëm të nëndetëseve të mesme dhe të mëdha sovjetike.
Në fillim të vitit 1946, udhëheqësit e Flotës Sovjetike, miratuan kërkesat tekniko-taktike për nëndetësen e llojit të mesëm P-613. Si përfundim, u kryen disa ndryshime në krahasim me projektin 608 si rritje e shpejtësisë, largësisë së veprimit dhe peshës. Në gusht të vitit 1946, në zyrën konstruktive CKB-18, mbërritën kërkesa të reja tekniko-taktike për P-613. Projektet e përfunduara për P-613 u miratuan nga udhëheqja e Bashkimit Sovjetik, duke i hapur rrugë, ndërtimit të tyre. Në plan ishte të ndërtoheshin 340 nëndetëse, por faktikisht u ndërtuan 215 njësi.
Në rolet kryesore të tyre, nëndetëset P-613 ishin nëndetëse me shtytje diesel-elektrike (konvencionale) dhe me armatim kryesor silurin. P-613, u projektuan kryesisht për: silurim dhe shkatërrim nëndetësesh, silurim dhe shkatërrim anijesh mbiujëse si dhe karvanësh detare, vendosje minash detare, spiunazh dhe lëshim diversantësh.
Konstruksioni
P-613 ishin nëndetëse me dy skafe, skafi i rëndë dhe skafi i lehtë. Skafi i rëndë ishte i gjatë 58 metra, i tëri i salduar dhe fillonte nga korniza 17 për të përfunduar në kornizën 117, duke u përbërë nga korniza dhe membrana, trashësia e të cilave në përgjithësi ndryshonte, nga 16 mm deri në 20 mm, në varësi të seksioneve. Në disa seksione trashësia e membranës arrinte, deri në 26-30 mm.
Largësia ndërmjet kornizave ndryshonte nga 450 mm, në 600 mm. Skafi i rëndë ka formën e një tubi dhe ndahej në 7 lokale të veçuara nga njëri-tjetri, me mure të pa përshkueshme nga uji. Lloji i çelikut me të cilin ishte ndërtuar skafi i rëndë, përdorej për herë të parë në ndërtimin e nëndetëseve dhe kishte kufi elasticiteti 392,4 MPa.
Në lokalet e akumulatorëve si të bashit, ashtu edhe të kiçit, skafi i rëndë kishte formën e numrit tetë. Kjo zgjidhje ishte “vjedhur” nga nëndetësja gjermane e llojit XXI dhe e aplikuar me qëllim, fitimin e një hapësire më të madhe për vendosjen e akumulatorëve, të cilët kishin përmasa dhe peshë të konsiderueshme, duke përbërë një problem në vete dhe shpesh jo te vogël, për projektuesit e nëndetëseve.
Secili lokal, kryente një funksion te caktuar dhe sipas funksionit kishte të montuar pajisjet dhe mjetet e nevojshme. Duke filluar numërimin nga bashi, lokalet ishin:
Lokali 1 (nga korniza e 17-të, në atë të 38-të). Lokali i silurit të bashit. Në këtë lokal ishin të montuara katër tuba lëshimi silurësh 533,4 mm, si dhe mjedis edhe për 6 silurë të tjerë rezervë. Gjithashtu, ndodheshin edhe mekanizmat hidraulikë të timonëve të thellësisë, motori elektrik i spirancës, luk për ngarkim te silurëve, ventilatorët e silurëve, cisternat e kompensimit, cisternat e ujit të ëmbël si dhe krevatet e fjetjes.
Lokali 2 (nga korniza e 38-të në atë të 52-të). Lokali i akumulatorëve të bashit. Në të vendoseshin akumulatorët e bashit, mensa e oficerëve, krevatet e fjetjes për oficeret, kabina e komandantit, si dhe ajo e zëvendëskomandantit, automati i baterive, cisterna e ujit të distiluar, kabina e radios, cisterna e karburantit, si dhe 3 bombola me ajër të ngjeshur.
Lokali 3 (nga korniza e 52-të në të 65-të). Dhoma e kontrollit të nëndetëses. Në të ndodheshin pajisjet kryesore të komandimit të nëndetëses, si 2 periskopë (periskopi luftarak dhe periskopi lundrues), kontrolli i antenave të radiostacionit dhe radiolokacionit, qendra e kontrollit të ajrit të ngjeshur, qendra e kontrollit të zhytjes, qendra e kontrollit të timonëve të thellësive, ekosonda, log, kabina e lundrimit, radiomarrësi, kabina hidro, mikrofoni i komunikimit i gjithë nëndetëses, rregullatori automatik i tensionit, pompat e avarisë si dhe të hapjes, cisterna e ujit të pijshëm si dhe cisterna e ujërave të zeza, etj.
Lokali 4 (nga korniza e 65-të në atë të 78-të). Lokali i akumulatorëve të kiçit. Në të ndodhej mensa e nënoficerëve dhe mjediset e fjetjes për nënoficerët, WC-ja, kuzhina, lavamani, automati i baterive, 3 bombola me ajër të ngjeshur, ngjeshësi elektrik, gjeneratori i rrymës së ndryshueshme dhe të gjirokompastit, cisterna e karburantit dhe ujit të distiluar.
Lokali 5 (nga korniza e 78-të në atë të 92-të). Lokali i motorëve me naftë. Në këtë lokal, ndodheshin 2 motorë me naftë (diesel) të llojit 37D, cisterna fillestare e karburantit, cisterna e vajit, cisterna e mbledhjes së papastërtive të karburantit, cisterna e mbledhjes së papastërtive të ujit, ftohësi i vajit, lloje të ndryshme pompash, 2 ngjeshës ajri si dhe sistemi i ventilimit të lokaleve dhe të baterive.
Lokali 6 (nga korniza e 92-të në atë të 1040-të). Lokali i motorëve elektrik. Në të gjendeshin 2 motorët kryesorë elektrik, 2 motorë të lundrimit ekonomik, 4 tabela të manovrimit si dhe tabela e shpërndarjes, rregullatori automatik i tensionit, 2 gjeneratorë të prodhimit të rrymës së ndryshueshme, bashkë me tabelat shpërndarëse, cisterna e ujit të pijshëm si dhe krevatet për ekuipazhin.
Lokali 7 (nga korniza e 104-të në atë të 117-të). Lokali i silurit të kiçit. Në këtë lokal, ishin të montuara 2 tuba lëshimi silurësh 533,4 mm, mekanizmat drejtues të timonit të kursit si dhe timonëve të thellësisë, pompa e tharjes, cisterna e kompensimit, etj.
Kuriozitete për nëndetëset tona
Në një orë, nëndetëset harxhonin 175 litra karburant. Rezerva ishte veçse me 119 tonë karburant. Cisterna mbante 11.3 tonë ujë dhe 95. litra vaj. Ishin të gjata 76 metra dhe të gjera 6.3 metra. Pesha e tyre në gjendje për lundrim, shkonte 1045 tonë në ujë, ndërsa kur zhytej, pesha shkonte në 1298 tonë (pasi mbushej me 253 tonë ujë për t’u zhytur). Pesha e një baterie ishte 750 kilogramë dhe mbante gjithsej 224 bateri në 2 dhoma, secila nga 112 bateri. Nën ujë punohej me këto bateri vetëm 1 orë.
Periskopi mund të nxirrej jashtë nga thellësia 9.5 metra, përmes një tubo thithëse. Sistemi me naftë përbëhej nga 2 motorë me nga 2000 kuaj/fuqi dhe shpejtësia arrinte deri në 18 milje detare në orë. Kishte 2 elektromotorë kryesorë. Fuqia e tyre ishte 1350 kuaj/fuqi, si dhe dy 2 elektromotorë ekonomikë, secili nga 50 kuaj/ fuqi me lidhje dhe shkëputje. Gjithsej mund të përshkruanin 300 milje, e më pas bëhej ngarkimi i plotë i baterive.
Në verë temperatura brenda nëndetëses arrinte në 45 gradë celsius. Kështu që, filmi “Ballë për ballë” që tregon marinarët e veshur me kapotë, nuk i përgjigjet realitetit. Marinarët qëndronin brenda me të brendshme për shkak të temperaturave të larta.
Kishte gjithsej 12 silurë/konica. Diametri i një silurë 533 mm. Veçse koka shpërthyese kishte 400 kilogramë tritol si dhe mbante 22 mina fundore, që i vendoste në fund të detit. Silurët ndaheshin, 4 në bash dhe 2 në kiç. Dy silurët e kiçit ishin për vetëmbrojtje dhe ishin akustike. Katër të tjerat për gjuajtje, si dhe 6 silurë rezervë.
Nëndetësja kishte gjithsej 22 bombola ajri, secila me 410 litra ajër që të ngjeshur, si dhe katër rezervë, për të ngarkuar 200 atmosferë ajër. Të tjerat ndodheshin nën kuvertë, ku 16 përdoreshin për të shfryrë ajrin e cisternave të nëndetëses.
Gjithsej kishte 2 tualete dhe një 1 dush. Si kapacitet lundrues ato mund të qëndronin 30 ditë në ujë. Dihet se kanë lundruar 21 ditë rresht, në vitin 1971. Si ushqim, kuota që u jepej marinarëve, në tokë ishte 108 lekë, dita, ndërsa në det ishte, 250 lekë dita. Çdo gjë ishte e dubluar. Bateritë e nëndetëseve kushtonin shumë. Në ’97 ato u vodhën, së bashku me kolltukët, pajisjet dhe aparaturat./Edmond Prifti/ Konica.al