Varrezat e Sharrës po shndërrohen dita-ditës në një vend dinjitoz prehje për ata që nuk jetojnë më, por edhe për njerëzit që vizitojnë të afërmit e tyre, njofton Bashkia e Tiranës.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet dhe u shpreh i kënaqur për ecurinë e deritanishme të zbatimit të projektit, ndërsa theksoi faktin se ky është investimi i dytë i madh që bëhet në varrezat publike, i cili që shoqërohet edhe me një sistemim të plotë të infrastrukturës urbane, nga ku përfitojnë afro 6 mijë banorë të zonës.
“Investimi i parë ka qenë në varrezat e Tufinës, sot është një ambient shumë më dinjitoz. Investimi i dytë është ky i varrezave të Sharrës, ku secili prej nesh, përfshi edhe mua, kemi të afërmit tanë”, tha Veliaj.
Ai theksoi se një pjesë e rëndësishme e projektit të rehabilitimit të varrezave të Sharrës prek edhe segmentin kryesor rrugor nga Kombinati deri në Sharrë, si dhe rrugëve të tjera lidhëse, të cilat do t’i shërbejnë si atyre që duan të vizitojnë varrezat, ashtu edhe banorëve të zonës që ndjekin rrugën e vjetër të Ndroqit për të shkuar në Durrës. “Po punojmë për pjesën e varrezave, ndërkohë edhe dy akset kryesore, rruga nga Ndroqi-Tiranë, segmenti Vaqarr-Kombinat, është thuajse në përfundim, po ashtu edhe Rr. “Lek Zaharija” që lidh një pjesë të madhe të zonave rurale, përreth Kombinatit për 6 mijë banorë. Për herë të parë në këtë zonë po investojmë si duhet, me kanalizime, ndriçim, trotuare etj”, u shprej Veliaj.
Kryebashkiaku tha se tashmë nuk ekziston më problemi i parcelave, pasi administrata e re e bashkisë ka mundur t’i japë zgjidhje problemeve procedurale të mbartura nga administrata e shkuar. “Më në fund nuk kemi probleme me varrimet. Mbaj mend në 4 vitet paraardhëse të administratës së kaluar që njerëzit varroseshin në asfalt nga pafuqia e administratës për të bërë letrat për shpronësim. Sot këto probleme, si në Tufinë edhe në Sharrë, nuk ekzistojnë më, megjithatë tani duhet të shtojmë cilësinë e këtij vendi të prehjes”, deklaroi Veliaj.
Ai veçoi faktin që pjesë e këtij projekti janë edhe varrezat murale, faza e parë e të cilit ka përfunduar dhe ku pritet të transferohen fillimisht eshtrat ushtarëve të huaj të rënë gjatë luftërave në vendin tonë apo të varreve të braktisura. “Sot kemi bërë progres edhe me një projekt, për të cilin është folur shumë, por nuk është bërë asgjë, siç janë varrezat murale. Unë besoj se qyteti duhet të ketë një harmoni kur respekton dinjitetin e atyre që nuk jetojnë më, por sigurisht edhe dinjitetin e të gjallëve që jetojnë dhe që kanë nevojë për shërbime publike. Ndaj ky është një projekt që i ka bashkuar të dyja këto nocione”, u shpreh kreu i bashkisë.
Veliaj njoftoi se projekti i rehabilitimit të varrezave parashikon edhe krijimin e një numri të konsiderueshëm vend parkimesh përgjatë rrugës, që do u shërbejnë kryesisht familjarëve që vizitojnë varrezat ku prehen të afërmit e tyre. “Për herë të parë do të kemi një sistem shumë të mirë parkimi. Të gjithë e dimë çfarë ndodh kur vijnë kortezhet, çfarë ndodh me trafikun, kështu që për herë të parë do të kemi një sistemim të parkingut në 300 e ca metra për rreth 100 vende parkimi në pjesën jugore të varrezave, si dhe sistemimin e parkimit brenda”, tha Veliaj. Ai theksoi se me kthimin nga pushimet, qytetarët do të gjejnë një hapësirë të sistemuar, por edhe një hyrje dinjitoze të Tiranës nga ana e Kombinatit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që kanë zaptuar apo ndërtuar, duke ngushtuar hapësirat e varrezave apo rrugëve që të çojnë aty, të tërhiqen vetë për t’i krijuar mundësi bashkisë që të kryejë punimet e nevojshme për një hyrje të re dhe dinjitoze të varrezave të Sharës. “I bëj thirrje qytetarëve që kanë zënë rrugën me mermerë, lule, shtesa, gardhe, se së shpejti do të nisim punimet dhe përpara se të mbërrijnë ekskavatorët dhe punonjësit e bashkisë, të tërhiqen te gardhi origjinal i rrugës. Sa më pak problematika të tilla të kemi, aq më shpejt mbarojmë punë me hyrjen kryesore të varrezave”, u shpreh Veliaj.
Përveç rehabilimit të rrugicave të brendshme të varrezave, investimi parashikon të ndërtojë edhe disa segmente rrugore. Më konkretisht rindërtimin nga e para të segmentit të rrugës kryesore Tiranë-Durrës, në të cilën përveç rikonstruksionit të rrugës për automjetet me gjerësi 9m është parashikuar të ndërtohet trotuar me gjerësi 1.5m në të dy anët e rrugës. Gjithashtu, ndërtimin e segmentit të rrugës dytësore të varrezave të Sharrës, në të cilën është parashikuar të ndërtohet rrugë për automjetet me gjerësi 6 m dhe trotuar me gjerësi 1 m në të dy anët e rrugës.
Një tjetër rrugë që po rindërtohet është edhe segmenti i rrugës “Lekë Zaharia”, ku është parashikuar të ndërtohet rrugë për automjetet me gjerësi që varion nga 7 – 12 m dhe trotuar në të dy anët e rrugës. Brenda parcelave të varrezave po ndërtohet edhe parkingu për makinat e kortezhit.