Këshilli Drejtues i PDK’së e ka nominuar zyrtarisht Kadri Veselin për Kryetar të Kuvendit. Këtë e ka bërë të ditur Nënkryetari i PDK’së, Rexhep Hoti, i cili ka thënë se Shefi i PDK’së ka marrë mandat edhe të propozojë emrat e ministrave në Qeverinë e re si dhe emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave të Kosovës.
Organi vendimmarrës i Partisë Demokratike të Kosovës, edhe zyrtarisht, e ka nominuar Kadri Veselin për Kryetar të Parlamentit.
Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e Këshillit Drejtues të kësaj partie, duke i dhënë edhe kompetenca të tjera Kryetarit të PDK’së.
Nënkryetari i PDK’së, Rexhep Hoti, ka thënë për Express se Veseli ka marrë edhe kompetencë të propozojë emrat e ministrave të rinj si dhe të propozojë emrat e kandidatëve për Kryetarë të komunave për zgjedhjet lokale. “Këshilli Drejtues ka marrë dy vendime madhore.
I pari ka të bëjë me nomiminin e z. Veseli për Kryetar të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Vendimi i dytë ka të bëjë me dhënien e kompetencave për Kryetarin e PDK’së që t’i propozojë emrat për ministra të rinj në Qeveri dhe emrat e kandidatëve për Kryetarë komunash”, ka thënë Hoti, për Express, të shtunën. (b.an)