Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar institucioneve të shtetit shqiptar që të ndërhyjnë pranë palës kroate, për të ndalur ekstradimin e Ballist Morinës në Serbi. Reagimi erdhi pasi një gjykatë kroate në Dubrovnik, vendosi që ta ekstradojë në Serbi personin që fluturoi një dron me flamurin “Autochtonous”, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd. Ja reagimi i FSHF:
REAGIMI I FSHF-së:
FSHF e angazhuar për zgjidhjen e çështjes Morina!
FSHF reagon publikisht dhe i bën thirrje të hapur autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të ndërhyjnë brenda kornizës ligjore për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi. Menjëherë pas publikimit në media të lajmit për vendimmarrjen e Gjykatës së Dubrovnikut në Kroaci për Ismail Morinën, i ndaluar ditë më parë, FSHF ka nisur menjëherë edhe interesimin e saj të drejtpërdrejtë për ti dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë këtij problemi shumë të ndjeshëm për tifozët dhe shqiptarët kudo qe ndodhen.
FSHF është plotësisht e angazhuar ti shkojë deri në fund një cështjeje të tillë, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe hapësirat e saj institucionale dhe diplomatike për të riparë edhe një herë këtë rast. FSHF është duke u marrë intensivisht me këtë problem, duke siguruar vetë Ismail Morinën, familjen, por edhe të gjithë tifozët shqiptarë që do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i jepen në mënyrë që një dicka e tillë të mos realizohet dhe ku hapësira ligjore ankimuese në Apel të mundësojë edhe abrogimin e vendimit të Shkallës së Parë. Ndërkaq, Federata ka nisur menjëherë kontaktet edhe me autoritetet shqiptare për të parë dhe operuar çdo mundësi që ekziston deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit, në mosekstradimin e tij drejt Serbisë.
Ndërkohë edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka kontaktuar me autoritetet në Kroaci, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Dubrovnikut
Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije për “BalkanWeb” se ministri Demiraj është interesuar pranë shtetit kroat për një gjykim të drejtë të Ismail Morines. Gjithashtu mësohet se ministri Demiraj është në kontakt prej një muaji me autoritetet kroate, kohë kur Morina u ndalua nga policia e Kroacisë, pasi ndaj tij ka një urdhër ekstradimi nga Serbia. Ndërsa familjarët e Ballist Morinës pretendojnë se shteti s’ka bërë asnjë përpjekje në lidhje me këtë çështje.