Ish-Presidenti Bujar Nishani në intervistën e parë për “Arena” nga Dritan Hila që pas lënies së detyrës së kreut të Shtetit, ka rrëfyer vështirësitë si dhe momentet e veçanta. Cilat ishin marrëdhëniet me Ramën, Metën? Çfarë mendon ai për marrëdhënien Basha-Rama dhe kush doli më i fituar?
Pjesë nga intervista:
Hila: Cili ka qenë moment që ju e konsideroni si më të suksesshmin në karrierën tuaj pesë vjeçare?
Nishani: Mund të them që jam bërë barrierë kryesisht në qëndrueshmërinë e disa institucioneve që kanë qenë vitale për paanshmëri dhe pavarësi të tyre, jo se kanë qenë në varësi dhe në kontroll të Presidentit të Republikës, por i kam inkurajuar, i kam mbrojtur dhe kam parë që ja kanë arritur deri diku në një masë jo të vogël që të qëndrojnë të pacenuar në kontekstin e tyre konstitucional. Shërbimi Inteligjent i vendit i cili nuk varet tek Presidenti, është pjesë e mekanizmit të ekzekutivit, por që duhet të ruaj një pavarësi tërësore nga ekzekutivi në aspektin operacional. Ne kemi pasur shumë akte të mëdha në Shqipëri që janë shpëtuar jetë masive njerëzish për shkak të funksionimit profesional dhe tërësisht jashtë ndikimit politik nga ana e Shërbimit Informativ që do ti mbeten historisë dhe ndoshta pas 50 viteve do bëhen publike.
Hila: Bëhet fjalë për terrorizëm?
Nishani: Për akte terrorizmi patjetër. Prokuroria, edhe pse unë nuk kam mbetur i kënaqur plotësisht me atë ç’ka doja unë të shikoja të Prokuroria e Shtetit shqiptar, veçanërisht në luftën e korrupsionit të niveleve të larta, por edhe të krimit të organizuar, por ka pasur le të themi një rezistencë ndaj ndërhyrjes brutale të ndërhyrjes politike që mund të kishte ndikuar për më keq në institucionin e Prokurorisë së Shtetit Shqiptar dhe në institucione të tjera. Veçanërisht në institucione financiare siç është Banka e Shqipërisë që është jo në kontrollin e Presidentit të Republikës, por për të ruajtur disa ekuilibra.
Pra veçanërisht me disa institucione Shqiptare që janë shumë të kujdesshme dhe strikte me ecurinë makro ekonomike dhe makro financiare të shtetit shqiptar dhe disa institucione të tjera, për të cilat unë vërtetë ndjej kënaqësi që ndoshta kam marrë sulmet personale, publike, tentative intimidimi publik që i kam rezistuar dhe sot pas pesë vitesh ndihem vërtetë i kënaqur aq sa mund të ndihem që i shërbeva këtyre momenteve delikate që këto institucione rezistuan, sepse këtu nuk bëhet fjala që këto atakohen nga Kryeministri,sepse shpesh herë krijohet ideja që beteja është me Kryeministrin. Patjetër që Kryeministri është njeriu më i rëndësishëm që orienton një politikë të caktuar por, ka me dhjetëra apo me qindra individë dhe aktorë që keqpërdorin pushtetin dhe tentojnë influencojnë, apo dhe njerëz që janë nën shërbime të aktorëve të tjerë të cilët mund të dëmtojnë shtetin Shqiptar. Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur njëkohësisht që në bashkëpunim edhe me drejtuesit e këtyre institucioneve dhe të tjerë që nuk I përmenda tani I kemi dhënë shtetit Shqiptarë disa shërbime të vyera.
Hila: Ka pasur ndonjë moment kur jeni bërë gati të jepni dorëheqjen?
Nishani: Jo asnjëherë. I vetmi moment që unë do jepje dorëheqjen do të ishte nëse unë më papërgjegjshmërinë time do të kisha rënë peng i aktorëve apo i faktorëve armiq të Shqipërisë, apo që mund të isha përfshirë në skandale që natyra ime civile dhe qytetare nuk I pranon dhe patjetër që do isha larguar. Përsa i takon vështirësive, kam pasur shumë vështirësi jo vetëm në aspektin shtetërorë por dhe në atë njerëzor dhe asnjë herë nuk jam dorëzuar dhe nuk kam ndërmend të dorëzohem.
Hila: Ju e keni pasur shkëmbime ‘shpatash’ me ish-ministrin e Brendshëm zt.Tahiri. Si do ta vlerësoni bashkëpunimin që keni pasur me të?
Nishani: Nuk kam pasur asnjë shkëmbim ‘shpatash’ me asnjë ministër sepse nuk ma lejonte niveli i detyrës dhe i postit që kryeja që të kaloja në komunikime apo përballje me ministrat. Presidenti nëse kishte adresime ndaj qeverisë merrej me kryeministrin dhe unë gjithmonë i jam adresuar kryeministrit dhe kam pasur komunikim me kryeministrin. Natyrisht jo të gjitha takimet kanë qenë publike.
Jam takuar jo shpesh me kryeministrin në zyrën time dhe i kam bërë me dije të gjitha shqetësimet për fusha të ndryshme, për rendin, marrëdhëniet me jashtë, drejtësinë, etj. Nuk kam bërë ndonjë vlerësim individual me ministrat.
Mund të them se në komunikim kam pasur normalisht me ministren e Mbrojtjes për problematikat që ka pasur pavarësisht se sa janë pranuar apo sa janë refuzuar për t’u marrë apo trajtuar nga ministrja e Mbrojtjes, por komunikimi ka qenë korrekt, institucional, ka qenë normal. Ju përmendët ministrin e Brendshëm. Nuk bëhet fjalë të kishe komunikim sepse nuk kishte as parametrat për të pasur një komunikim jo institucional por as njerëzor.
Me ministrin e Financave kemi pasur komunikim institucional shumë korrekt. Ia është dashur shpesh herë ndërhyrja apo dhënia e aksesit Presidentit të Republikës që disa akte të hynin menjëherë në fuqi dhe të tejkaloheshin procedurat burokratike në zyrën e Presidentit të Republikës dhe në 100% të rasteve jam treguar i gatshëm sepse ishte interesi i shtetit, nuk ishte interesi thjesht i ministrit të Financave dhe natyrisht i bëhej mirë edhe ministrit. Ministri i Financave ka pasur komunikim korrekt.
Kanë qenë këto komunikime pa hyr pastaj në probleme dhe sjellje në trajtimin e trupit diplomatik, për të cilat mua më vjen keq që prej shumë e shumë vitesh vazhdon dhe ndoshta është përkeqësuar një traditë e trajtimit të diplomatëve shqiptarë, e njerëzve që janë përkushtuar në politikën e jashtme jo në mënyrë dinjitoze. Këto çështje nuk janë luks, nuk janë salltanete.
Nishani: Nuk ka ministër që ka këllqe të injorojë institucionin e Presidentit
Hila: Nuk jeni pyetur për ambasadorët, nuk jeni pyetur për politikat e personelit në Ministrinë e Jashtme.
Nishani: Nuk kam pretenduar të ndërhyj në Ministrinë e Jashtme. Ne kemi një ligj të Shërbimit të Jashtëm që përcakton që 5 veta në Shërbimin Diplomatik duhet të marrin titullin ambasador.
Hila: Ka nja 10 vjet që nuk e japin…
Nishani: Sepse këtu nuk ka përgjegjësi ndaj shtetit. Mendon ministri se këto janë dhurata nga xhepi i tij për njerëz të caktuar. Është Presidenti që jep titullin ambasador. Unë kam dhënë vetëm një titull dhe kanë ardhur vetëm dy propozime. U kam thënë të sjellin propozime për 5 vende. Ata nuk mbahen si çokollata për të premtuar njërit apo tjetrit për t’i mbajtur njerëzit lidhur. Është një kulturë e shekullit të kaluar që njerëzit i mban në xhep karrotën por që ta nuhasë kafsha dhe të vij nga mbrapa. Kam kërkuar që të kaloj ligji në Parlament, janë përcaktuar 5 poste për titullin ambasador, bëni seleksionimet dhe të vijnë 10 propozime.
Nuk erdhën kurrë. Erdhën vetëm dy propozime për dy vende. Në këtë rast jo vetëm ka munguar, por injoruar totalisht institucioni i Presidentit, sepse nuk ka ministër që ka këllqe të injorojë institucionin e Presidentit të Republikës, jo Bujar Nishanin, Ilir Metën sot…etj. Presidenti i Republikës është kreu i Shtetit shqiptar. Në momentin që hyn në atë zyrë është kreu i Shtetit shqiptar nuk është më Bujar Nishani, nuk është më Ilir Meta. Ikën nga ajo zyrë kur dhunon Kushtetutën. E ka qartësisht Kushtetuta. Sa kohë është në atë zyrë është Presidenti i Republikës. Edhe në rastin e ambasadorëve, unë kam bërë një rezistencë të jashtëzakonshme, jo personale.
Asnjë ambasador nuk është emëruar gjatë këtyre 5 viteve sa kam unë si President i Republikës, me dëshirën apo kërkesën time si emërtesë e imja. Kam thënë po emërtoj këta, emëroni ju këtë që dua unë. Kam refuzuar të hyj në relata të tilla. Sepse nuk e quaja normale që emërimet e ambasadorëve të bëhet në këtë procedurë, por të kemi një procedurë normale. Të marri komisioni i Jashtëm atë rol që i ka dhënë ligji, të marri kryeministri atë rol, të marri Presidenti atë rol që i ka dhënë ligji.
Ne nuk kemi luksin që të kemi njerëz pa fund në Shërbimin e Jashtëm. I kemi me gishtat e dorës dhe t’i ruajmë. Flas për njerëz me dinjitet. Ç’rëndësi ka se për kë voton tek kutia e votimit ditën e zgjedhjeve. Diplomatët i shërbejnë shtetit. Kanë investuar dhe të investosh në diplomaci nuk është njësoj si të investosh në një fushë tjetër sepse bota e diplomacisë është specifike dhe është imazhi i shtetit.
Nishani tregon “sherrin” me djalin dhe gruan: Kur babi të mos jetë President…
Ish-Presidenti Nishani ka treguar në një intervistë për “Arena” në Ora News vështirësitë e tij të punës si kryetar shteti.
Ai ka ndarë një episod që ka ndodhur në familjen e tij, kur djali ishte vetëm 18 vjeç. Nishani tha se aty e ndjeu kufizimet që i shkaktonte detyra, sidomos familjes.
“Para dy a tri vitesh, djali në atë kohë 18 vjeç. Kuptohet një 18-vjecar adoleshent, afishon në FB një foto në Vjenë me një makinë BMW të shokut të tij që jeton atje, anëtar i familjes Libohova. Dhe menjëherë u sulmua.
Mediat po shkruanin djali i Presidentit me makinë luksoze. Ime shoqe e merr në telefon dhe i thotë që ta heqë dhe të mos nxjerrë mjete që s’janë të tijat. Djali menjëherë e hoqi. E fshiu. U mërzit shumë.
Ime shoqe i thotë se sa kohë babi është president nuk ka të drejtë të postojë në rrjetet sociale gjëra të tilla.
Përgjigja e tij ishte: Kur babi të mos jetë më President unë s’do jem më 18 vjeç”, tha Nishani.