Dhjetra vullnetarë nga organizata Green Line Albania kanë filluar këtë javë aksionet për pastrimin e plazheve të jugut të Shqipërisë në kuadër të projektit Turizmi Gjelbër, i cili mbështetet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ambasada Franceze, BKT, Albarent, Everest IE dhe AlbanianRecyclersAssociation .
Gjatë kësaj jave aksionet e pastrimit janë shtrirë në Plazhin e Vjetër të Vlorës, Radhimë dhe Orikum, për të vazhduar më tej në Dhërmi, Jal, Livadh e Himarë.
Fatkeqësisht plazhet në shumicën e rasteve janë të pa pastra, dhe kjo ndodhë për faktin se një pjesë e madhe e pushuesve preferojnë që mbeturinat të mos i hedhin nëpër kosha ose qese por ti lënë në plazh. Gjithashtu vërehet edhe një mugesë e theksuar e infrastrukturës për menaxhimin e mbetjeve në qytetet dhe komunat bregdetare si dhe burime njerëzore të limituara për përballimin e fluksit të madh të pushuesve në këto plazhe. Organizimi i këtyre aksioneve bëhet me qëllimin e ngritjes së vetëdijes të pushuesve, banorëve, bizneseve dhe institucioneve vendore për të mbajtur plazhet e pastra.
Përpos pastrimit vullnetarët kanë bërë edhe fushatë sensibilizuese duke folur me pushuesit, duke i ftuar për tu bashkuar në aksionet e pastrimit, por edhe për të marrë një opinion personal të tyre rreth gjëndjes së plazheve mbi pastërtinë. Një pjesë e tyre ju bashkuan aksioneve pas ftesës së bërë por edhe një pjesë e mirë ka qëndruar shumë indiferente. /b.d