Madje edhe vetë futbollisti e ka kërkuar një gjë të tillë, duke qenë se në tre vitet e fundit ka kaluar në huazim në skuadra të tjera dhe ka kërkuar që një gjë e tillë të marrë fund.
Fakti që ai është ekstrakomunitar i ka prishur disi punë në klubin që ka në pronësi edhe kartonin e tij, duke qenë se te skuadrat ku është huazuar ka bërë paraqitje të mira. Sezonin e fundit ai e mbylli tek ekipi i Lugos, ndërkohë që ka luajtur më parë edhe me Trojes dhe Peruxhian.
Oferta – Por, sipas “lazionews24”, i vetmi klub që ka shfaqur një interesim konkret për të marrë shërbimet e futbollistit 24- vjeçar është Partizani. Vendi i lënë bosh pas largimit të Ekuban duhet plotësuar dhe Perea duket se kënaq shijet e Moxhit, i cili po zhvillon merkaton e kuqe, por edhe të trajnerit të sapoemëruar, Iuliano që duket se ka njohje për futbollistin.
Klubi lacial duket se është gati ta mbyllë këtë marrëveshje sa më shpejt, por do të jetë edhe dëshira e vetë futbollistit vendimtare në një transferim të mundshëm. Duket se Lacio nuk dëshiron të fitojë asgjë nga kartoni i tij, pasi edhe për një tjetër vit, Perea del lojtar i lirë.
Sipas shkrimit të botuar në sajtin lacial, gjasat janë që Perea të transferohet te Partizani dhe më pas të rikthehet sërish në Itali ose të transferohet në një tjetër klub duke ndjekur të njëjtën rrugë si Ekubani.
Javët në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen e lojtarit, por nëse ai bëhet pjesë e të kuqve, atëherë sulmi i skuadrës së drejtuar nga Iuliano do të kishte më shumë siguri për sezonin e ardhshëm futbollistik. Për momentin, në kampin e kuq, Sukaj është i vetmi sulmues i deklaruar, por ky repart do të ketë përforcime nga merkato./Panorama