Përmes operacionit të koduar “Sezoni”, policia e Vlorës ka zbardhur një seri vjedhjesh të ndodhura në këtë qytet, si dhe në Sarandë e Himarë. Lajmin e bëjnë të ditur burime nga Drejtoria lokale e Policisë, sipas të cilave në kuadër të operacionit janë arrestuar 3 shtetas, të dyshuar si autorë të grabitjeve, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.
Sipas burimeve, personat në fjalë kryenin, të ndarë nga njëri-tjetri, vjedhje në mes të rrugës, duke vënë në shënjestër të mitur, të cilëve përmes kërcënimeve u merrnin sendet personale si celularë, varëse, etj.
Gjithashtu, shtetasit Kreshnik Yzeiri, Adriatik Hitaj, Albi Biçaku dhe një tjetër i identifikuar me inicialet V.Ç kryenin edhe vjedhje banesash përveçse në Vlorë, në Himarë e Sarandë.
Në disa raste ata kanë grabitur në banesa shuma që arrijnë deri në disa qindra euro, si dhe objekte me vlerë si varse apo byzylykë. Shtetasi Kreshnik Yzeiri është arrestuar në Vlorë, Albi Biçaku në Himarë dhe Adriatik Hitaj në Sarandë. Ndërkohë, personi i katërt është në kërkim. Materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së rrethit për një seri akuzash të rënda ndaj të rinjve, si “përvetësim mallrash dhe parash”, “vjedhje”, “kërcënim” dhe “moskallëzim krimi”.