Lulzim Basha ka mbledhur deputetët e rinj në selinë e Partisë Demokratike, takimi i parë ky që prej zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit dhe pas rikonfirmimit të tij në krye të PD javën e kaluar.
Sipas Report TV, Basha mësohet të jetë shprehur përpara deputetëve se opozita do vijojë misionin e saj përballë qeverisë “Rama”.
“Misioni ynë do jetë një opozitë e fortë. Ne do të nisim një tur special në të gjithë vendin” – ka thënë Basha.
Gjatë një deklarate për mediat pas përfundimit të këtij takimi, Basha u shpreh ftoi për bashkëpunim me opozitën forcat e tjera politike, ndërsa u shpreh se ministrat teknikë të opozitës po përfundojnë raportin për zgjedhjet si dhe kanë bërë gati dorëheqjet nga postet ministrore.
“Ne do të denoncojmë të gjitha rastet që vështirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë. Jemi gati të bashkëpunojmë me këdo që është gati të bëjë opozitën për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend, dhe jo pazar-opozitë. Ministrat kanë bërë gati dorëheqjet e tyre”, u shpreh Basha.
Ai ka sqaruar se PD nuk ka asnjë marrëveshje tjetër me Edi Ramën, përveç asaj të 18 majit, për garancinë e zgjedhjeve.
“S’kemi asnjë vizion të përbashkët me Partinë Socialiste. Nuk ka asnjë kompromis dhe asnjë flirt me Ramën. Rama përfaqëson të keqen, PS dhe LSI janë njësoj. Ne jemi opozitë dhe do denoncojmë çdo gjë. Marrëveshja e 18 majit në funksion të zgjedhjeve dhe marrëveshje tjetër me Ramën nuk ka”, është shprehur kryetari demokrat” – ka thënë Basha. /b.d