“Tensionet që ndodhin në një vend të shenjtë në 11 ditët e fundit nuk janë vetëm çështje izraelito-palestineze, por të njëjtat mund të kthehen në një konflikt fetar, i cili tërë rajonin mund ta zvarrit në një vorbull ere të dhunës”.
Nickolay Mladenov, koordinator special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, deklaroi se tensionet dhe dhuna në xhaminë Al-Aksa dhe në zonën përreth mund të kthehen në konflikt fetar, raporton Anadolu Agency (AA).Mladenov, në adresimin e tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në Lindjes e Mesme, paralajmëroi se tensioni brenda kompleksit Al-Aksa dhe në afërsi të saj mund të rritet më tej.
“Tensionet që ndodhin në një vend të shenjtë në 11 ditët e fundit nuk janë vetëm çështje izraelito-palestineze, por të njëjtat mund të kthehen në një konflikt fetar, i cili tërë rajonin mund ta zvarrit në një vorbull ere të dhunës”, tha Mladenov.
Ai e vlerësoi si pozitiv vendimin izraelit për heqjen e detektorëve të metalit në hyrje të xhamisë Al-Aksa, duke apeluar tek të gjitha palët të distancohen nga provokimet e reja.
Gjatë fjalës së tij, ai poashtu kritikoi planet e fundit nga autoritetet izraelite për ndërtimin e ndërtesave të reja të banimit në territorin palestinez.
“Edhe njëherë dua të theksoj se dhuna e territorit të pushtuar palestinez në bazë të ligjit ndërkombëtar është e paligjshme. Gjithashtu, pengojnë krijimin e një shteti të pavarur palestinez dhe kërcënojnë mundësinë e një zgjidhjeje mes dy shteteve”, theksoi Mladenov.
Ambasadori i Shtetit Palestinez në OKB, Riyad Mansour, në adresimin e tij para Këshillit të Sigurisë e dënoi vendimin e autoriteteve izraelite për të mbyllur Al-Aksan për besimtarët muslimanë.
Ai paralajmëroi se provokimi i Izraelit mund të rritet, duke apeluar tek Këshilli i Sigurisë që të marrë masat e nevojshme që të sundojë paqja dhe siguria në rajon.
Ndërsa, ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, akuzoi udhëheqësinë palestineze se “u japin paga terroristëve”, duke kërkuar nga Këshilli i Sigurisë së OKB-së që kjo çështje të vihet në rendin e ditës.
Kriza u përshkallëzua të premten e kaluar në mëngjes, kur policia izraelite vrau tre palestinezë para dhe në kompleksin Al-Aksa, ku e gjitha rezultoi me trazira të përgjithshme në të cilat u plagosën disa njerëz, përfshirë dy policë izraelit të cilët ndërruan jetë rrugës për në spital.
Policia izraelite më pas urdhëroi mbylljen e kompleksit Al-Aksa ndërsa palestinezët për herë të parë që nga pushtimi i vitit 1967, namazin e xhumasë e falën jashtë mureve të qytetit të vjetër, përgatiti Express. (b.an)