Mentor Kikia
Nën shembullin amerikan, edhe pse protokolli i shtetit nuk e parashikon, bashkëshortes së presidentit, edhe ne i drejtrohemi si zonja e parë e vendit. Zonjat e para deri tani kanë qene gra jo publike dhe në aktivitetet e tyre kanë ruajtur një profil social, duke u angazhuar në aktivitet me karakter humanitar dhe mjedisor.
Por Monika Kryemadhi nuk do të jetë zonjë e parë. Këtë e kishte deklaruar që kur Ilir Meta u votua si president, por ditën e ceremonisë së inaugurimit të presidetit ajo e demonstroi duke mos u vënë në krah të bashkëshortit, i cili hyri në presidencë nën shoqërinë e tre fëmijëve. Për këtë “sjellje” Meta tha vetëm se Monika nuk është nga ata njerëz që vihet kollaj në rresht.
Por në fakt përse Minika Kryemadhi refuzoi të ishte në krah të bashkëshortit-presidentit?
Padushim që kjo nuk është një çështje modestie dhe as një gjetje marketingu si atletet e bardha të Ramës për të tërhequr vëmendje publike. Refuzimi i zonjës Kryemadhi është një lëvizje politike e të dyve bashkë, Metës dhe asaj. Kryemadhi, që tashmë mban postin e kryetares së LSI-së, është një politikane energjike dhe me karizëm të fortë. Ajo ka paralajmëruar se do të udhëheqë LSI-në drejt një opozite të fortë(agresive) në parlament dhe ajo dëshiron të vazhdojë të jetë po Monika Kryemadhi deputete dhe kryetare e LSI-së dhe jo Monika Kryemadhi- gruaja e presidentit. Në parim, ajo nuk dëshiron të jetë një dekor i Metës, por mbi të gjitha ajo nuk dëshiron që lufta e saj politike të atribuohet gruas së presidentit, por kryetares së LSI-së.
Por ky vendim duket të jetë një gjetje që më shumë se Monikën, mbulon Ilir Metën, i mbron atij presidencën nga implikimet partiake. Meta, ditën do të duhet të jetë presidenti i gjithë shqiptarëve dhe kryetari i shtetit, ndërsa natën do të duhet të bëjë llogaritë e LSI-së. Pasi pakkush mund të besojë që Meta do të presë të shikojë lajmet në TV e të lexojë gazetat për të mësuar se çfarë ndodh në LSI. Por ai nuk do të ndjehej fare komod si president i depolitizuar duke patur në krah zyrtarisht një grua që premton të tundë flamurin e opozitarizmit në kuvend. Për këtë arsye ata kanë vendosur të ndajnë rolet, duke menduar të mos interferojnë njëri-tjetrin e duke mos dëmtuar njëri-tjetrin në detyrat e tyre. Se sa do të funksionojë, kjo mbetet për tu parë. Por gjithësesi kjo situatë e bën çiftin Meta-Kryemadhi çiftin më interesant në politiken shqiptare të këtij çerek shekulli.
Me karizmën që ka, zonja Kryemadhi mund ti jepte një tjetër format Zonjës së Parë të vendit. Por çifti presidencialo-opozitar, nuk ka në plan të rregullojë protokollin e shtetit, por të mendojë për të ardhmen e LSI-së.