Nga Mero Baze
Bujar Nishani u largua sot nga selia e Presidentit të Shqipërisë, duke lehtësuar atë godinë nga pesha e banalitetit dhe lehtësia e padurueshme e të bërit të një “kukulle” President, në Shqipëri. Zgjedhja e tij, ishte një makinacion pervers i Berishës, i cili e kishte piketuar atë si njeriun që do t’i siguronte qetësinë në Presidencë. Për të realizuar skemën e tij, Berisha përdori përmes një makinacioni të pështirë, emrat e dy intelektualëve dhe profesionistëve të nderuar shqiptarë, Xhezair Zaganjori dhe Artan Hoxha.
Të parin e propozoi si president konsensual, i sigurt se nuk do ta pranonte opozita dhe kësisoj do të tërhiqej. Të dytit, i përdori një histori, që më së shumti ia ka shpikur vetë, kur e hoqi nga qeveria e tij në vitin 1993, atë të bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit.
Në atë histori, vetëm Sali Berisha ishte i qartë se President do të ishte Bujar Nishani. Dhe për këtë kam një histori personale, të cilën e kam rihetuar disa herë me dëshmi autentike.
Pasi kishte paraqitur formalisht kandidaturën e Zaganjorit e cila do të miratohej të enjten, ai ka thirrur qysh të henën Artan Hoxhën, për t’i thënë se do jesh kandidati ynë. Artani nuk e ka pranuar fillimisht dhe ka kërkuar të mendohet ndërsa Zaganjori ishte ende në garë. Të premten pasi Zaganjori nuk u votua, Hoxha është thirrur prap në zyrën e Berishës dhe në prani të Ilir Metës e ka pranuar kandidimin. Kjo se i “bëhej mirë dhe LSI që ai nuk ishte figurë poltike”.
Të dielën në mbrëmje ishte dhe takimi i Edi Ramës me Sali Berishën për kandidatin. Berisha i paraqiti, Artan Hoxhën, Arben Imamin, Bujar Nishanin dhe këshilltarin e tij Milo.
Natyrisht Rama nuk pranoi asnjë dhe po shkohej drejt Presidentit politik.
Artan Hoxha më kërkoi të pinim kafe tek “Wisky” afër mesnatës dhe po më tregonte për detajet që po e çonin drejt Presidencës. Në fakt, në atë listë kandidatësh, unë isha dakord të ishte Artan Hoxha President. E kisha njohur si student të shkëlqyer dhe skurpuloz dhe si një njeri që kish bërë dhe disa beteja të tija politike, edhe pse rreshtimi i tij i fundit pro Berishës ngjante si kapriço profesionisti, që mund të bëjë ç’të dojë me veten.
Por ndërsa po ndahesha me Artanin, Filip Çakuli po më bezdiste në telefon të shkoja në një kafe tjetër në mesnatë, pasi kishte lajme interesante për Presidentin. Në tavolinën e Filip Çakulit dhe Koço Devoles, ishte shfaqur një femër e cila paskësh çuar, qysh të shtunën pasdite, lule tek zyra e Bujar Nishanit në Ministri të Brendëshme, pasi siç tha ajo, “do bëhej President”.
-Ku punon ti,- e pyeta gjithë mospërfillje dhe siguri, pasi sa isha ndarë nga Artan Hoxha që po bëhej President.
-Parukiere,- u tall vajza.
-E mirë na lë të bëjmë muhabet, se jam dhe qeros,- i thashë.
Por të nesërmen paradite ndërsa isha në emision televiziv në “Vizion Plus” dhe u shfaq trazira e dorëheqjes së Artan Hoxhës, mesazhi më cinik më erdhi nga Filip Çakuli
-“Bën mirë të bëhesh parukier, se ajo vajza ishte më e qartë se ju analistët, se kush do të bëhej President”.
Çfarë kishte ndodhur?
Kur gjithë grupi parlametar i PD dhe LSI u bind se Artan Hoxha do të ishte President, (përfshi dhe unë) dhe mblodhën firmat për të, Sali Berisha devijoi makinën e tij në bulevard, duke e thirrur në zyrën e vet në Kryeministri për të realizuar skenarin e tij. Ndërsa Artan Hoxha hyri në zyrën e Berishës, ku gjendej ulur dhe Ilir Meta, Sali Berisha u çua në këmbë dhe ende pa i dhënë dorën filloi të ngrejë zërin:
-Jemi para një Puçi, jemi para një Puçi shteti. Bamir Topi po bën një 21 janar të dytë, por nuk do ta lejojmë.
Kandidati për President duhet të jetë ndjerë shumë i hutuar nga gjithë shfaqja, ndërsa Berisha ka vazhduar të bëjë teatër, duke u sjell nëpër zyrë dhe duke folur për një puç, ndërsa Ilir Meta e dëgjonte i heshtur.
Më në fund “u detyrua” të sqarohej, se Bylykashin e kishte marrë kryetari i SHISH dhe e kish njoftuar për një dosje.
Artan Hoxha e ka refuzuar prerë dhe ka mohuar se ka pasur bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, por Berishës nuk i interesonte kjo. I interesonte thjeshtë që kjo të ishte një arsye që ai të mos vazhdonte rrugën deri në Presidencë por të kthehej mbrapsht në shtëpi. Siç bëri.
-Nuk do t’i lejojmë të bëjnë grusht shteti,- tha. Tani zgjedh Presidentin e ri. Dhe pas pak Astrit Patozi njoftoi se Presidenti i ri do të ishte Bujar Nishani.
Të gjithë menduan se Nishani ishte rastësi. Unë kisha shkruar qysh në shkurt se Kandidati i Berishës për President ishte Bujar Nishani, dhe po ndiqja me vemendje se si po manovronte ai për të dalë tek Nishani. Por kur nxori në skenë emrin e Artan Hoxhës, për një moment besova se hoqi dorë nga Nishani.
Një herë që e humba besimin tek intrigat e Sali Berishës, dështova. Ai arriti me perfeksion të bënte President një njeri, i cili nuk plotësonte as kushtet shëndetësore për të qenë i tillë. Banal, vulgar, i padenjë në asnjë moment për të përfaqësuar atë detyrë, një masakrues i stimujve moralë dhe kombëtarë të Institucionit, që dekoroi dhe guzhinjerë që ushqejnë djalin, apo masazhiere që merreshin me shëndetin e tij, hyri dhe doli nga Presidenca si “qen roje” i maktheve të dikujt, që ka një urrejtje për çdo pasardhës të tij në Presidencë, sa na imponoi dikë si Bujar Nishani.
Prej sot në atë zyrë del një kukull dhe hyn një njeri politik i bërë vetë. Ilir Meta ka plot dritëhije në karrierën e tij, ka momente shkëlqimi dhe errësire, por të gjitha i ka bërë vetë. Pas Sali Berishës, ky është President i dytë që shkon me këmbët e veta në Presidencë. Dhe përgatituni të mos prisni lajme të mira nga Presidenti i ri, por lajme banale nuk do të keni.