Më 30 prill 1991 me zgjedhjen e Presidentit të parë të Republikës parlamentare nga ana e një parlamenti shumëpartiak, krijohet Institucioni kushtetues i Presidentit të Republikës.
Që nga kjo datë dhe deri më sot Presidentët dhe periudhat e drejtimit të tyre janë si më poshtë:
30 prill 1991:
Parlamenti zgjedh President të Republikës, zotin Ramiz Alia
Në fakt Ramiz Alia i cili ndërroi jetë pak muaj më parë, nuk do të mbahet mend vetëm si presidenti i parë i Shqipërisë por edhe si presidenti i parë i ve. Gruaja e tij Semiramis Alia kishte ikur nga kjo botë pak vite më herët ndaj mandatin presidencial, Alia e jetoi i vetëm.
Semiramis Alia u lind në vitin 1925 dhe i kreu stuimet në Moskë. Ajo ishte vajza e profesorit të njohur, Aleksandër Xhuvani. Ndryshe nga shumë gra të ish-udhëheqësve komunistë, Semiramis Alia nuk u mor me politikë, por punoi si pedagoge në Fakultetin e Shkencave. Ramizi dhe Semiramisi u njohën gjatë studimeve në Moskë dhe ai vazhdimisht ka folur me shumë dobësi për të, duke e përshkruar me shumë dashuri në librin biografik “Jeta ime”.
Nga martesa e Ramizit dhe Semiramisit lindën tre fëmijë. Dy vajza, Zana dhe Besa, si dhe një djalë, Arbeni.
Semiramiz vdiq në vitin 1986 nga një sëmundje e rëndë, vit në të cilin ndërroi jetë edhe nëna e Ramiz Alisë. Një vit më herët kishte vdekur edhe Enver Hoxha.
Lajmi për vdekjen e bashkëshortes 58-vjeçare të liderit shqiptar, që pasoi Enver Hoxhën në pushtet, u dha në thuajse të gjitha agjencitë botërore të lajmeve në 14 mars 1986.
I ati i Semiramisit, Aleksandër Xhuvani, ka qenë drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit përpara Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë punoi në qeverisjen komuniste.
Peters, ish-drejtues dhe mik i Xhuvanit, në kujtimet e tij në një shkrim të publikuar në “The New York Times” (më 14 prill 1985) shkruan se Aleksandri, me besim ortodoks, i kishte thënë atij se i ishte “thyer zemra”, që vajza e tij deshi të martohej me një djalë të besimit mysliman. Ai e kishte pyetur zotin Peters, se çfarë mund të bënte për këtë gjë. “Unë i thashë atij: Asgjë, gjërat po ndryshojnë”, – kujton zoti Peters.
9 prill 1992:
Parlamenti zgjedh President të Republikës, zotin Sali Berisha
Mjeku nga Tropoja që prej vitesh jetonte në Tiranë, ishte ndër të parët që u aktivizua në lëvizjet për zhdukjen e sistemit komunist në vend.
Kurse gruaja e tij, gjithashtu mjeke, Lirie Berisha, ishte e para grua presidenti e cila u bë aktive në jetën e vendit përmes organizatave në ndihmë të shtresave të ndryshme sociale.
Ata kanë dy fëmijë Shkëlzen Berishën dhe Argita Malltezin, të dy të martuar dhe me fëmijë. Znj.Berisha ka pohuar se “Në mënyrë absolute pika e dobët e Sali Berishës janë nipërit dhe mbesat. Përpara atyre ai dorëzohet totalisht…”
Nuk është e vështirë të kuptosh që ata kanë qenë një çift tradicional, dhe një lidhje e dominuar nga Saliu. Kur pyetet për ditët e njohjes dhe martesës, znj.Berisha tregon:
“Prindërit e kanë pëlqyer menjëherë. Mamaja e pëlqeu sapo e pa, ndërkohë që babai e vlerësoi shumë gjatë bisedave me të. Ishte një situatë ku bëhej luftë që nuset të martoheshin jo me fustan të bardhë por me kostume. Megjithatë unë e kisha kusht që dita ime e dasmës të bëhej me të bardha. Unë mbarova shkollën më 30 qershor dhe më 5 korrik u martova”.
Liria rrëfen edhe diçka tjetër: “Saliu nuk i ka qejf drekat e darkat në restorante. Tani mënyra jonë e ushqimit ka ndryshuar paksa sepse ushqehemi në mënyrë dietetike. Kryesisht gatuajmë vetëm perime me peshk dhe mish. Saliu ka një vullnet të jashtëzakonshëm që e tregon kudo, dhe si i tillë është shumë strikt edhe me ushqimin”.
3 mars 1997:
Parlamenti rizgjedh President të Republikës, zotin Sali Berisha
24 korrik 1997
Parlamenti zgjedh President të Republikës, zotin Rexhep Meidani
Lidra, nga profesioni është matematiciene, miqtë tregojnë se ruan mprehtësinë dhe zgjuarsinë që i karakterizon studiuesit e shkencave të natyrës. Mësimdhënien në shkollë nuk e ka braktisur asnjëherë. Pas incidentit shëndetësor që Rexhep Mejdani pati disa kohë më pare (bllokim ene gjaku i kuruar në Paris) Rexhep dhe Lidra Mejdani kanë shtuar orët e lëvizjes me këmbë. Ata shihen shpesh tashmë në Tiranë duke shëtitur të veshur sportivë.
“Nuk mund të rrimë vetëm nëpër makina dhe në kompjuter. Dhe e mira më e madhe është që tani nuk pihet më duhan” – ka treguar znj.Meidani, citon gazeta Shekulli. Ata kanë një vajzë Adean e cila jeton jashtë Shqipërisë, dhe bashkëjeton me një të huaj, si dhe një djalë, Denin, i cili ndan apartamentin me ta. Një qen me emrin Ufo që prej rreth 11 vjetësh është pjesë e kësaj familjeje.
Për kohën kur ishte zonjë e parë e vendit tregon:
“Fushat e interesit u shtrinë shumë sepse kam lexuar për probleme nga më të ndryshmet, që të them të drejtën më përpara edhe nuk më interesonin. Tjetër gjë është që kam lëvizur shumë nëpër Shqipëri, kuptova që Shqipëria nuk ishte ajo që unë kisha përfytyruar, ajo çfarë njihja unë nga Tirana apo dhe Peshkopia, ku kam qenë mësuese për 9 muaj. Të gjitha këto ndryshuan mënyrën time të të parit të botës
Për marrëdhëniet me vajzën: “Verën që kaloi vajza më tha diçka që më bëri të mendoj. “O ma, unë po vërej një gjë; që ju të gjithë po përpiqeni që të gjeni një mënyrë për të mbijetuar, ose për t’u përshtatur në këtë ambient dhe jo për ta ndryshuar”.
Për marrëdhëniet me djalin: “Janë më ndryshe, sepse ai jeton me ne. me djalin jam më direkte. Deni është më i fortë si natyrë”
Për pjesëtarin me 4 këmbë të familjes: “Babai ka qenë Labrador, nëna një racë tjetër, është 11 vjeç dhe quhet Ufo. Ideja ishte e Adeas, pastaj ajo iku me studime dhe qeni na mbeti neve”.
24 korrik 2002
Parlamenti zgjedh President të Republikës, zotin Alfred Moisiu
Ish-bashkëshortja e Presidentit Alfred Moisiu quhej Milica Moisiu. Ajo ishte nga Tirana dhe ka mbaruar Institutin e Fizkulturës. Ka punuar si arsimtare dhe janë të shumtë ata që e mbajnë mend si mësuese të spikatur në Tiranë.
Moisiu u bë President, vetëm një vit pasi kishte humbur gruan e tij Milicën nga një iktus.
Vëllai i Alfred Moisiut, Arqile Moisi tregon për Milicën: “Me Alfredin ajo u martua me dashuri në kohën kur ai ishte oficer i ri, ndërsa ajo nxënëse në Institutin e Fizkulturës. Ndërroi jetë në vitin 2001 nga një iktus në kokë”.
Moisiu, i zgjedhur president pas një marrëveshje mes Berishës e Nanos, ishte i dyti president ndër 6 presidentët e vendit (bashkë me Ramiz Alinë), që gjatë kohës së mandatit presidencial ishte i ve. Ai kishte tre vajza dhe një djalë.
Në pritjet zyrtare, Moisiu mbante në krah njërën nga vajzat. Dr.Rubena Mosiu, vajza e madhe e Alfred Moisiut, është një nga mjeket më aktive në vend. Gjatë mandatit presidencial, Moisiu humbi djalin e vetëm, Admir Moisiu. Në mars të vitit 2004 makina me të cilën ai udhëtonte së bashku me dy kolegë (në kohën e aksidentit ishte me detyrë drejtor i Kontrollit Financiar në Prokurorinë e Përgjithshme) doli nga rruga dhe ra nga 60 metra lartësi në lumin Drino në afërsi të Ujit të Ftohtë në Tepelenë.
24 korrik 2007
Parlamenti zgjedh President të Republikës, zotin Bamir Topi
Bashkëshortja e Presidentit të Republikës, Zonja e Parë Teuta Topi ka lindur në Tiranë më 13 qershor 1961.
Zonja e Parë nuk është angazhuar në politikë, por është përfshirë në programe me interes social e publik si çështje të përkatësisë gjinore apo çështje të integrimit europian dhe të procesit të stabilizim-asocimit. Në vitin 1986 martohet me Bamir Topin. Ata janë prindër të dy vajzave Nada dhe Etida. Zonja Topi nuk e ka ndërprerë aktivitetin e saj profesional në Ministrinë e Bujqësisë ndërsa aktivitetin si Zonjë e Parë do t’ua kushtojë shtresave më në nevojë të shoqërisë.
Një shportë me ushqime nga Obama
Nga mandati presidencial ajo mban mend përgjithësisht aktivitete të lidhura me shtresa në nevojë, ndërsa nga “skena ndërkombëtare” i ka mbetur në mend një dhuratë e zonjës së parë amerikane Michelle Obama: “Nga dhuratat e marra, që më ka lënë mbresë të veçantë për origjinalitetin e saj, është ajo e znj. Michelle Obama. Ajo kishte përgatitur si dhuratë një shportë me produkte ushqimore biologjike”.
10 Qershor 2012
Parlamenti zgjedh President të Republikës, zotin Bujar Nishani
Bujar dhe Odeta Nishani janë martuar në 1994 dhe kanë 2 fëmijë. Djali, Ersi, 17 vjeç që studion në një kolegj në Vjenë dhe vajza Fiona, 13 vjece. Aktualisht banojnë në një apartament në Selitë, por pritet të transferohet në Pallatin e Brigadave sepse Nishani deklaroi se “në momentin e marrjes së detyrës do të zbatoj të gjitha rregullat që do të më përcaktojë protokolli i shtetit dhe nuk do t’i anashkaloj”.
Odeta Nishani, aktualisht mban detyrën e drejtoreshës së Studimit të Tregut dhe Statistikave Turistike, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ajo do të jetë zonja e parë e re e Shqipërisë sapo Bujar Nishani të betohet më 24 korrik 2012.
*Ndërkohë për Monika Kryemadhin redaksia nuk ka asnjë koment përderisa vetë znj. Kryemadhi e ka refuzuar postin e Zonjës së Parë.
/b.d