Aston Martin Valkyrie padyshim do të jetë një veturë shumë mbresëlënëse, por shumica mendojnë kjo kompani do të konkurrojë McLarenin dhe Ferrarin. Tashmë dihet që Valkyrie do të ketë më shumë se 1000 kuajfuqi dhe se do të peshojë 1029 kilogramë, si dhe se do të jetë legal për shumicën e rrugëve publike, transmeton Koha.net.
Fansat e veturave presin me padurim edhe ardhjen e rivalëve nga McLaren dhe Ferrari. Ndërkohë, dizajneri Alex Imnadze Baldini ka shpalosur idenë e tij se si do të duket modeli i Ferrarit, i cili do të rivalizonte “bishën” e Aston Martinit.
Dizajneri, këtë projekt e ka emëruar Concept P3/Scuderia Baldini dhe hiper-vetura e tij është frymëzuar nga modeli legjendar Ferrari P3, i cili ka garuar në fund të viteve 60-ta dhe në fillim të viteve 70-ta. Natyrisht, Baldini është përkujdesur për dizajnin futuristik.
Pjesa e përparme disi ngjan në modelin origjinal P3, por, dritat e holla LED dhe kabina e mbyllur me xhama të errët këtij modeli i japin një pamje moderne. Karroceria është aerodinamike dhe rrotat kanë një pamje “agresive”. Ndërkaq, në pjesën e pasme gjenden dy difuzerë “agresivë”, si dhe një palë drita të pasme të “frikshme”.
Për një hiper-veturë të tillë, Ferrari do të duhej ta bënte me sistemin e tërheqjes hibride dhe do të kishte më shumë se 1000 kuajfuqi. Për momentin, Ferrari nuk ka ndonjë plan për një hiper-veturë të tillë, porse çfarë do të ndodhë në të ardhmen, nuk dihet, përgatiti Koha. (b.an)