Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot se brenda 5 viteve qytetarët e Tiranës do të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm. I ftuar ftuar në emisionin e mëngjesit “Koha për tu zgjuar” në Neës 24, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se konsumatorët familjarë do të paguajnë më pak se sa banorët e Kamzës.
E gjitha kjo sipas Veliajt, bëhet që Bashkia të ketë mundësi të investojë që kryeqyteti të mund të furnizohet 24 orë ujë Tiranën. “Çmimi do të jetë njësoj sa ç’paguajnë sot banorët e Kamzës. Po flasim për 20 lekë, sa çmimi i një gazete. Sigurisht, ai që ka pishinë dhe lavazh, apo ai që vadit tokën me ujë të pijshëm, duhet të matet mirë. Me çmimin aktual që ka uji në Tiranë, atyre që jetojnë në Paskuqan e Babrru iu leverdis më mirë ta lidhin zorrën e ujit në Tiranë, sepse uji këtu është më i lirë se në Kamëz. Në dy vjet kemi bërë mbi 100 investime nëpër lagje, por nëse do na duhet të shkojmë te niveli tjetër, pra që Tirana të ketë ujë të pijshëm 24 orë në ditë duhet të bëjmë këtë lëvizje. Kush e do Tiranën brenda 5 viteve me 24 orë duhet të marrë këtë vendim”, sqaroi Veliaj.
Ai deklaroi se si pasojë e keqmenaxhimit gjatë administratës së mëparshme ujësjellësi ishte zhytur në borxhe, ndërsa bëri të ditur se Ujësjellësi i Lanabregasit është peng i një banke të nivelit të dytë, si pasojë e borxheve të marra nga Lulzim Basha. Veliaj tha se e gjithë kjo nismë po ndërmerret për të pasur mundësi për të marrë kredi që të zhbllokojë ujësjellësin dhe për të investuar. “Kur pati defiçit financiar, Berisha i tha Bankës së Shqipërisë bli hotel Dajtin, ndërsa Bashkisë së Lulzim Bashës i tha bli Lanabregasin. Që të mbushte defiçitin, Basha e la peng ujësjellësin në një bankë të nivelit të dytë. Ne na duhet të marrim një kredi nëse duam të bëjmë një reforme që do sillte ujë 24 orë për qytetarët. Duhen 220 milion euro, e pamundur të të financojë njeri kur nuk ke të ardhura”, sqaroi ai.
Duke marrë shembull çmimin që ka Kamza, Veliaj deklaroi se kjo bashki e blen ujin nga Tirana 12 lek me shumicë, dhe e shet 65 lek për banorët e saj, ndërkohë që vetë Tirana e ka 45 lek. “Sipas studimit të JAICA-s, Agjencisë Japoneze që ka bërë një studim të jashtëzakonshëm për ujësjellësin, e konfirmuar edhe nga Banka Botërore, Tiranës i duhen 220 milionë euro për të pasur 24 orë ujë të pijshëm. Është e pamundur që të të financojë njeri në momentin që t’i nuk ke fuqi. Kurse Kamzën e financojnë sepse e blen me shumicë nga Tirana me 12 lekë dhe ua shet qytetarëve të saj me 65 lek. Do të thotë që fiton 53 lek. Pra, Tirana e ka çmimin total 45 lek, kurse Kamza vetëm fitimin e ka 53 lek”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se ajo që gjeti në fillim të marrjes së detyrës ishte një rrjet tërësisht i amortizuar. “Sot jemi në një situatë në qytetin e Tiranës ku kemi kaluar një thatësirë të jashtëzakonshme. Ne kemi fatmirësisht një pjesë të madhe të qytetit e cila nuk është prekur, pra nuk e ndjen pjesa që furnizohet nga Bovilla, por e ndjen pjesa që furnizohet me puse. Këtu flas për zonën e Unazës së Re dhe zonën e Astirit, pra ish-komunat e Kasharit që Partia Demokratike i ka qeverisur prej vitesh dhe na i la peshqesh me një rrjet totalisht të amortizuar. Jo vetëm kaq, por edhe Tirana qytet nuk është investuar në ujësjellës, le të themi në nivel kapilar, në disa raste që në vitet ’50, ’60”, tha kreu i Bashkisë.
ma.me