Dmitry Shugaev, që është drejtori i Shërbimit Federal për Bashkëpunim Ushtarak të Rusisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit, ka konfirmuar se është reale që Moska së shpejti t’ia dorëzojë Serbisë sistemin raketor S-300.
“Partnerët serbë kanë shprehur interes për S-300 SAM. Po bisedojmë për këtë sistem”, ka thënë ai në panairin e aviacionit “MAKS 2017”
Ai ka shtuar se do të realizohet po ashtu dorëzimi i gjashtë aeroplanëve luftarakë, MiG-29.
“Pos aeroplanëve, Moska do t’i japë Serbisë 30 tanke T-72S dhe 30 makina të blinduara BRDM-2”, tha Shugaev. Sistemi raketor S-300 është një nga armatimet më të avancuara, të cilin e kanë Bullgaria, Kina, Egjipti, Irani, Greqia dhe Rusia.
Rrezja e veprimit të saj është nga pesë deri në 150 kilometra, e në lartësi deri në 27 mijë metra. Shpejtësia e raketës është deri në 2,800 kilometra në orë, përgatiti Express. (b.an)