Një shtetas sllovak, i cili kishte ardhur në Shqipëri si turist prej disa ditësh, është gjetur i pajetë mbrëmjen e djeshme në breg të detit, në plazhin e Golemit.
Policia e Tiranës tha mbrëmë se rreth orës 19:45, në numrin e Emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë për një shtetas pa ndjenja në bregun e plazhit të Golemit.
Menjëherë pas njoftimit në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ambulanca, por sipas burimeve mjekët kanë konstatuar se turisti nuk kishte shenja jete. Burimet thanë se viktima është shtetasi Beres S., 66 vjeç, nga Sllovakia.
Ai kishte ardhur për disa ditë pushime në bregdetin shqiptar, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja. Policia tha se nga veprimet e para në vendngjarje, por edhe në morg, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Ka dyshime se ai mund të jetë futur për t’u larë dhe ka pësuar infarkt, edhe për shkak se kishte konsumuar shumë pije alkoolike. Të paktën kështu ka deklaruar në Polici bashkëshortja e 66-vjeçarit nga Sllovakia, e cila ka dhënë dëshminë e saj para oficerëve të Policisë së Kavajës.
“Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se ka ndërruar jetë shtetasi sllovak Beres S., 66 vjeç. Sipas deklarimeve të bashkëshortes, shtetasi i mësipërm ka konsumuar një sasi të madhe alkooli dhe është futur në det për të notuar. Nga verifikimet paraprake nuk rezulton të këtë shenja dhune. Grupi hetimor po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës.
Megjithatë e shoqja e viktimës gjatë dëshmisë së saj nuk ka deklaruar nëse viktima kishte pasur probleme me zemrën, apo probleme të tjera shëndetësore
a.ç