Dështojnë përpjekjet e akademikëve të Universitetit të Tiranës për të bërë pranimet e reja sipas modaliteteve të përcaktuara nga vetë ata. Senati akademik hodhi poshtë dje draft-rregulloren e përgatitur nga grupi i punës për pranimin dhe regjistrimin e kandidatëve në UT. Praktikisht, është hedhur poshtë jo vetëm puna e ekspertëve që kanë punuar mbi një javë për draft-rregulloren e re të pranimeve, por të një procesi të iniciuar e rrëzuar nga vetë ata.
Konkluzioni ka qenë derivat i bisedimeve të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit, të cilat duket se i kanë bindur të mos ndryshojnë rregullat e lojës në mes, aq më tepër në një kohë kur aplikimet sapo kanë filluar. Gjatë mbledhjes së ditës së djeshme, senati ka qenë i ndarë në dy grupe: mbështetësit e idesë për të vendosur rregulla të reja ndryshe nga udhëzimi i MAS dhe kundërshtarët me argumentimin e kohës së pamjaftueshme. Hartuesit e idesë dhe mbështetësit kryesorë të implementimit të saj, pedagogët e Fakultetit Ekonomik, Juridik dhe Gjuhët e Huaja mbështetën variantin e rregullores së posaçme, ndërsa shumë pedagogë vendosën të abstenonin.
Si përfundim, edhe këtë vit, gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës do të aplikojnë të njëjtën procedurë pranimi e regjistrimi si universitetet e tjera, e përcaktuar nga Ministria e Arsimit me një udhëzim të posaçëm, atë nr.15. Përpjekjet për ndryshimin e rregullores kanë nisur në muajin korrik. Në datën 6, senati i UT-së mori vendimin që pranimet dhe regjistrimet të bëheshin vetëm me një raund, që do të niste më 4 shtator dhe me mundësi çregjistrimi në çdo kohë. Ndërsa në draft-rregulloren që disponon gazeta, është ruajtur vetëm elementi i fundit.
“Nëse një aplikant është shpallur fitues në një nga fazat e regjistrimit, por nuk është regjistruar në afat, nëse ai kërkon të regjistrohet në një nga fazat e mëvonshme, atij i rijepet e drejta për t’u regjistruar nëse ka kuota të paplotësuara në përfundim të fazës në të cilën është paraqitur kërkesa e tij për regjistrim. Vetëm pas regjistrimit të tij, në përfundim të fazës përkatëse kur është bërë kërkesa, vazhdohet me uljen e mëtejshme të listës për fazën pasardhëse”, thuhet në nenin 8 për përcaktimin e fituesit.
Tjetër element me rëndësi, që do të pëlqehej nga shumë kandidatë, është mundësia e çregjistrimit. “Çdo fitues i regjistruar ka të drejtën të çregjistrohet në çdo moment që e kërkon çregjistrimin”. Sipas udhë- zimit të MAS, më 29 gusht shpallen fituesit. Pranimet do të bëhen me dy raunde dhe regjistrimet me faza 48-orëshe.