Pronari i argjendarise në Tiranë që mbeti i plagosur mëngjesin e djeshëm gjatë një tentative grabitjeje nga një person ende i paidentifikuar, e kishte grabitjen e dyte ate qe i ndodhi.
Argjendari i plagosur është Vangjel Kashara, 28-vjeç dhe për familjen Kashara ngjarja e djeshme nuk është e para që ndodh, shkruan “Panorama”.
Të riut që mbeti i plagosur dje gjatë përleshjes me grabitësin që refuzoi t’i jepte paratë e bizhuteritë, i është vrarë edhe nëna 20 vjet më parë, në një ngjarje si ajo që i ndodhi atij.
Flutura Kashara, nëna e 28-vjeçarit të plagosur, u qëllua për vdekje në argjendarinë e saj në vitin 1997, nga persona që edhe pse kanë kaluar dy dekada, ende nuk janë identifikuar.
Familja e saj vazhdoi të njëjtin biznes, edhe pas ngjarjes tragjike që ndodhi. Por historia është përsëritur dje me të birin, që fatmirësisht është ende në jetë dhe po merr mjekimin në Spitalin e Traumës.
Vangjel Kashara ka qenë vetëm 8 vjeç kur nëna iu vra gjatë një tentative grabitje, megjithatë ishte në dijeni të asaj që kishte ndodhur.
Nisur nga ajo ngjarje ai dje ka refuzuar t’i përgjigjet grabitësit, edhe pse kishte një pistoletë të drejtuar në fytyrë.
I riu është përleshur me autorin e ngjarjes, duke mos e lejuar t’i grabiste biznesin e familjes, por ka mbetur vetë i plagosur./Panorama/a.m.