Pas kallëzimit që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i bëri kreybashkiakut Xhelal Mziu, ka reaguar Bashkia e Kamzës.
Procedimin nën akuzën e veprës penale ‘Shpërdorim detyre’, Mziu e ka cilësuar hakmarrje të pastër politike. Sipas kryebashkiakut kjo masë ndaj tij për faktin se nuk zbatoi vendimin për prishjen e 89 ndërtimeve pa leje në këtë bashki, vjen pas humbjes që pësoi Rama në zgjedhjet e 25 qershorit në Kamzë. Mes të tjerash në reagimin e Bashkisë thuhet se në Tiranë dhe Durrës jo vetëm që është ndërtuar, ndërtime sipas tij me lekët e ardhura nga droga.
REAGIMI I BASHKISE KAMZE
Qeveria lejoi ndërtimet pa leje në këmbim të votës. Në Tiranë, Durrës etj. është ndërtuar pa leje jo vetëm shtëpi, por edhe vila, pallate, madje në prona publike dhe me paratë e krimit, korrupsionit, drogës
Vazhdon seriali nr. 2 i hakmarrjes së qeverisë “Rama” (pas çdo palë zgjedhjesh), kur PS humb ndjeshëm në zgjedhje në Kamëz. I verbuar nga rezultati, Rama nuk u ndalet sulmeve politike ndaj Kamzës, Bashkisë dhe qytetarëve të saj.
Pas humbjes dërrmuese në Kamëz me plus 5 mijë vota, gjendet një “sebep” që qeveria të sulmojë sërish emrin e kryebashkiakut Xhelal Mziu, duke e kallëzuar atë në prokuroi.
Ky kallëzim është i paralajmëruar para zgjedhjeve parlamentare nga Kryeministri. Fluksi i ndërtimeve pa leje dhe i klientelës me flamujt e qeverisë qendrore vazhdoi në gjithë Shqipërinë, në këmbim të votës. Kjo ka ndodhur edhe në Kamëz, gjë të cilën e kam pohuar që është ndërtuar ilegalisht me flamujt e qeverisë. Por ndonëse në Kamëz është ndërtuar për mbijetesë për të futur kokën, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe bashki të tjera, është ndërtuar dhe po ndërtohet pa leje, jo vetëm shtëpi, por edhe vila, pallate e madje edhe në prona publike me paratë e krimit, korrupsionit dhe drogës. Në këtë rast qeveria hesht, sepse këto ndërtime bëhen me bekimin dhe miratimin në heshtje të saj.
Bashkia Kamëz ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për parandalimin apo penalizmin e çdo ndërtimi pa leje. Kallëzimi penal ndaj Bashkisë Kamëz nuk është gjë tjetër veçse një hakmarrje e pastër politike.
a.ç