Nga Spartak Ngjela
Pas përmbysjes së komunizmit, ja ngjashmëria e dy rregjimeve: njëri, ai komunisti, vriste dhe burgoste për të mbretëruar në pushtet; ky tjetri që erdhi pas komunistëve, në 25 vjet vodhi dhe abuzoi për të mbajtur pushtetin me para të vjedhura.
l.
Në funksion të pushtetit dhe të të drejtave të njerut, në një kuptim historik, kjo është pothuajse krejt e njëjta gjë. Në fund të fundit, të dy regjimet kanë rënë në krime, por këta të dytët, që janë aktualë, tani janë të kapur me fakte.
Të gjithë kryeministrat që kaluan në këta 25 vjetë, janë treguar më shumë se mendjelehtë, sepse nuk e kishin fare bazën morale të qeverisjes.
Po të mos dojë kryeministri, askush nuk mund të abuzojë në një administratë shtetërore, edhe pse këtu te ne nuk funksionon as ligji.
ll.
Në fakt, kështu si kanë vepruar këta pushtetarë në këtë pseudodemokraci që kemi, treguan hapur se e pakta e kanë pas përbuzur popullin që kanë marrë përsipër ta qeverisin.
Por tani janë të gjithë në hall. Gjatë luftës për ndryshimin e kushtetutës, ishin të paktë ata që e ndjenë frikën thellë: kryesori ishte Sali Berisha. Prandaj dhe u hodh në sulm edhe me Lulzim Bashën. Por gjithmonë u thyen nga forca e politikës anerikane; dhe tani gjithçka ka marrë fund.
Në këtë kohë Shqipëria dhe shqiptarët e Ballkanit perëndimor, konsiderohen si mbështetja kryesore në politikën amerikane në Ballkan. Uashingtoni dhe Brukseli do ta çojnë deri në fund reformën e nisur në Tiranë, për një shtet të drejtë shqiptar . Kjo tani është domosdoshmëri.
lll.
Në funksion të Kushtetutës së re dhe ligjeve për prokurorin e gjykatën speciale, si dhe ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit, që të gjithë janë në rrezikun e akuzës për abuzim me pushtetin.
E pra, siç shihet, kjo është e njëjta situatë me atëherë ku filloi në Shqipëri rrëzimi i komunizmit. Por kjo e sotmja ka një specifikë superiore: krimin shtetëror shqiptar e ka hetuar dhe do ta hetojë ekspertiza ndërkombëtare perëndimore.
Prandaj këta të sotmit janë shumë më të faktuar, sepse janë të hetuar ndërkombëtarisht, gjë që nuk e kishin në ngarkim abuzuesit e diktaturës komuniste.
lV
E gjithë kjo tregon se edhe Shqipëria me në fund po bën hapa konkretë drejt shtetit modern perëndimor.
Të gjiths qeveritë deri më sot e kanë injoruar me koshiencë të plotë funksionimin e një shteti të drejtë shqiptar. Dhe arsyet janë të ndryshme.
Reforma e nisur është në ecurinë e saj normale, dhe në vjeshtë shqiptarët do të fillojnë të ndiejnë realisht krenarinë e të jetuarit në vendin e tyre me drejtësi, dhe njëherësh edhe të fillojnë që të krijojnë realisht besimin se në Shqipëri do të fillojë një qeverisje e re, e përgjegjshme dhe me specifikat reale të respektimit të punës, të kapitalit privat dhe dinjitetit njerëzor, që të gjitha të nëpërkëmbura për 25 vjet rresht.
Dhe nëse pyetet se ku është garancia se kjo ndërmarrje morale nuk do të dështojë, gjithmonë duhet të theksohet se është aleanca politike e interesit të përbashkët shqiptaro-amerikan që iu ka dhënë më në fund shqiptarëve mundësinë e tyre historike për drejtësi, e cila deri tani ka qenë e dhunuar padrejtësisht.