Nëse jeni me pushime dhe në restorante apo lokale nuk ju japin kuponin tatimor, apo çmimet janë abuzuese tani e keni një mundësi.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në përpjekje për të luftuar evazionin fiskal në vend iu bën thirrje qytetasve të denoncojnë rastet abuzive në zonat turistike.
“Të luftojmë së bashku evazionin fiskal për një ekonomi të shëndoshë dhe më shumë shërbime publike. Beteja me evazionin fiskal është më e vështirë sesa beteja kundër informalitetit, prandaj dhe DPT ka kërkuar në çdo moment bashkëpunimin me qytetarët.
Denoncimi prej tyre i mosdhënies së kuponit tatimor, çmimeve të larta të cilat nuk deklarohen në fatura apo i fenomeneve të tjera, është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e ekonomisë sonë”, theksohet në një njoftim.
Po ashtu një paralajmërim ka edhe për bizneset apo tatimorët që korruptohen.
“Ata mund të gjejnë në çdo kohë bashkëpunimin me administratën tatimore, por nuk do të gjejnë kurrë pakte korruptive me asnjë punonjës të administratës tatimore në betejën tonë me evazionin”.