Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që fitoi mandatin në zgjedhjet e 25 qershorit, Përparim Spahiu nuk i ka lënë thjesht me qëndrim publik akuzat e ngritura për shkelje gjatë procesit zgjedhor.
Ai i është drejtuar me një kallëzim në Prokurorinë e Dibrës, me akuzat e ngritura ndaj komisionerëve të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe PDIU-së por edhe LSI-së. Sipas Spahiut, komisionerët e qendrës së votimit 1079 në Bulqizë në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë shtuar rreth 70 vota për PS-në, PD-në dhe PDIU-ne.
“Besoj se nuk ka rrugë tjetër përvec se kallëzimit penal të tyre, kallëzim për një skemë të re dhe të frikshme, më të rrezikshme se blerja e votës, apo e blerjes së komisionerëve”, shkruan deputeti i LSI-së në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Ai e ka referuar kallëzimin për veprat penale “falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultatit zgjedhor” si dhe për veprën “votimi më shumë se një herë dhe pa u identifikuar”, që rrjedhimisht përshkruajnë edhe skemën e përdorur nga komisionerët për të cuar vota fiktive për tre forcat politike.