Lulzim Basha në takimet me demokratët e Kukësit, Hasit e Tropojës, dhe të Njësisë 7 në Tiranë, e vuri theksin tek deformimi i vullnetit të qytetarëve me 25 qershor, përmes shitblerjes së votës, me paratë e krimit dhe drogës, dhe keqpërdorimit të makinerisë shtetërore siç tha ai. Beteja për zgjedhje të lira e të ndershme do të vazhdojë deri në fund, tha Basha, duke shtuar se vetëm PD e ka sot moralin për ti prirë kësaj kauze.
Lulzim Basha theksoi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje, asnjë pakt me partitë që blenë, e manipuluan votën e shqiptarëve, duke iu referuar asaj që përflitej për koalicion me PS.
“Betejë e cila nuk mbaron me kaq, marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”, deklaroi Lulzim Basha.
“25 qershori vërtetoi se lufta kundër krimit në politikë, lufta kundër drogës dhe beteja për zgjedhje të lira e të ndershme ishin kauza të drejta dhe më të rëndësishme për Shqipërinë sot. Kush i luftoi këto kauza? Kush u përball me këto kauza? Vetëm Partia Demokratike, vetëm demokratët. Në ditët, muajt kur skeptikët nuk guxonin të pranonin apo të shqiptonin, problemin e thellë të krimit në politikë me autorizim dhe bekim të Edi Ramës, demokratët u ngritën, dhe ne u përballëm me drogën kur askush nuk guxonte të fliste për të.
Me drogën, si projekt politik të Edi Ramës dhe kriminelëve që solli në institucione, pikërisht për të mbuluar dështimin e tij me ekonominë dhe për të përgatitur atë që ekzekutoi me 25 qershor. Ndaj beteja kryesore që ne duhet të vazhdojmë sot pavarësisht se çfarë ndodh brenda shtëpisë tonë është beteja për demokracinë. Sepse njësoj si në ’91-in, nuk ka humb vetëm Partia Demokratike, ka humb demokracia, kanë humbur shqiptarët, ka humbur Shqipëria”, u shpreh Basha.
Lulzim Basha foli për projektin dhe sfidat që presin përpara.
“Ju siguroj që do të vazhdoj t’ju shërbej me sakrificë totale, çdo sekondë të drejtimit tim, duke luftuar me ju dhe për ju, dhe për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar, me të gjithë demokratët e bashkuar në një betejë e cila nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë përfundim tjetër, përveç fitores së të drejtës, zgjedhje të lira e të ndershme e përmes tyre, fitores së projektit tonë”, tha Basha.
“Dalim nga kjo garë me kokën lart si e vetmja forcë morale që nuk u përlye në shit-blerje, që nuk u përlye në krim, që ofroi Shqipërisë rrugën e daljes. Dhe sot Shqipëria është pa rrugë dalje. Nuk ka ça të festojë Edi Rama, s’ka as shpresë, as besim, as entuziazëm as te grupi i tij i ngushtë, se nuk ka rrugëdalje njësoj si në ’91-in. Nuk ka dritë në fund të tunelit të tij, as për ekonominë, as për makrofinancat e shtetit, as për rininë, as për pensionistët, nuk ka. Në radhë të parë kemi kurajon tonë, moralin tonë politike, kemi vizionin tonë europian të qendrës së djathtë me vlerat tona. Por që ta ofrojmë këtë duhet patjetër të fitojmë betejën për zgjedhje të lira e të ndershme”, pohoi Basha.
/a.m.