Policia e Shtetit jep zyrtarisht detajet për operacionin e madh në Vlorë, ku u sekuestruan rreth 15 ton drogë. Ndërkaq mësohet se janë arrestuar 9 persona, ndër këta 2 punonjës policie dhe 1 kryeplak fshati.
Më datë 13.07.2017, në kuadër të një hetimi tërësisht policor, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka bërë të mundur goditjen e një sasie të konsiderueshme me lëndë narkotike të fshehur në 3 banesa në fshatin Llakatund të Vlorës. Në këtë operacion masiv kanë marrë pjesë rreth 150 forca policie, kryesisht efektivët e DVP Vlorë në bashkëpunim me FNSH-në e Fierit, dhe Specialistë të SH.Ç.B.A-së.
Gjatë operacionit, duke qenë se hetimi nxori se në këtë veprimtari kriminale ishin implikuar edhe punonjës policie, veprimet proçeduriale për punonjësit e Policisë janë kryer në bashkëpunim me SHÇBA për arrestimin e tyre.
Nga kontrolli i ushtruar në këto banesa, shërbimet e policisë kanë konstatuar sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike nëpër dhoma, në formë presimi dhe çokollate, të ndara nëpër pako dhe thasë plastikë të zinj.
Është konstatuar një bazë e gjërë materiale si; 3- presa, sita, përbërës kimikë, vaj hashashi etj,,, të cilat shërbenin jo vetëm për presimin e lëndës narkotike por edhe të përpunimit të saj me përbërës kimikë duke i dhënë formën e çokollatës etj.
Janë sekuestruar 5 armë zjarri Automatik Kallashnikov.
Janë bllokuar dhe sekuestruar 4 automjete: ML-Benz, Mitsubishi, Jeep dhe Furgon.
Gjatë operacionit është zbuluar një parcelë e kultivuar me bimë narkotike në oborrin e banesës të një punonjësi policie, konkretisht:
Në banesën e Inspektorit të Policisë Lirim Lamaj, në oborr u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 270 bimë të mbjella, të dyshuara si Cannabis Sattiva.
Nga hetimet e menjëhershme intensive, në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar dhjetëra persona, prej të cilëve janë arrestuar në flagrancë 9 prej tyre, si autorë të dyshuar përgjegjës dhe të implikuar në këtë veprimtari, si më poshtë:
1- Inspektor Lirim Lamaj, 49 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre” parashikuar nga nenet 284 e 248 të Kodit Penal.
2- Inspektor Avdyl Sinanaj, 56 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
3- Astrit Lamaj (vëllai i Lirim Lamaj-t), 37 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë, arrestuar për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.
4- Balil Gjata, 69 vjeç, banues në fshatin Drithas të Njësisë Administrative Shushicë, Vlorë, me detyrë Kryeplak i fshatit Drithas. Arrestuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.
5- Myzafer Tushaj, 66 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë;
6- Ervin Tushaj, 42 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë;
(Babë e bir, të cilët kishin strehuar lëndën narkotike në banesën e shtetasit Z.A).
7- Rakip Arapaj, 58 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë (i’u gjet sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike në banesën e tij);
8- Kudret Tushaj, 71 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë;
9- Elion Tafili, 43 vjeç, banues në fshatin Llakatund, Vlorë.
(Babë e birë, iu është gjetur një pjesë e lëndës narkotike në banesën e tyre në fshatin Drithas).
Vijojnë veprimet proceduriale në lidhje me peshimin e lëndës narkotike deri në përcaktimin e saktë të peshës së saj. Operacioni vazhdon dokumentimin e plotë ligjorë…
ma.me