Jozefina Topalli i është shmangur disa herë pyetjes nëse është Sali Berisha që po mbështet Lulzim Bashën në krye të PD-së, veçanërisht pas rezultatit të thellë humbës në zgjedhjet e 25 qershorit, ende pa një analizë humbje.
E pyetur nga “Express” sesi e vlerëson heshtjen e ish-kryeministrit Berisha për këtë situatë, veçanërisht atë brenda PD-së, ku kritikët janë ngritur kundër Bashës, Topalli shprehet: “Heshtja të bën bashkëfajtor në këtë situatë. Kushdo që hesht. E nis që nga vetja ime. Po indiferenca të bën fajtor. Dikush duhet t’i dalë zot PD-së”
Kujtojmë se zoti Berisha është mjaft aktiv në situatën politike në vend e vazhdimisht reagon përmes rrjeteve sociale, por për atë se çfarë po ndodh në Partinë Demokratike që ai drejtoi derisa ja “dorëzoi” Bashës në 2013-ën, ende nuk ka thënë asnjë fjalë.
Figura që themeluan PD-në mbetën jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e qershorit të 2017-ës, të hartuara nga Lulzim Basha.
Ndërkohë më 22 korrik PD zhvillon zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së ku në garë është Basha me funksione që i “ngriu” pas humbjes më 25 qershor, dhe Eduard Selami, i lënë jashtë Kuvendit të ri të Shqipërisë pasi nuk u fut në listat “Basha”.
Topalli hedh edhe një akuzë të fortë kur thotë se Lulzim Basha e ka caktuar rezultatin. “Zgjedhjet në PD janë farsë”, – përfundon ajo.