“Rebelët” e PD-së kanë zhvilluar sot takimin e parë në pallatin “Aleksandër Moisu” në Durrës për të diskutuar për lëvizjen opozitare brenda partisë dhe në kundërshtim të votimit të 22 Korrikut.
Të pranishëm kanë qenë Besnik Mustafaj, Astrit Patozi, Leonard Olli dhe Julian Deda. Mustafaj tha para demokratëve të Durrësit se ata nuk mund të rrinë duarkryq duke parë se si Edi Rama e merr PD-në, siç tentoi edhe në vitet 90.
Ndërsa, Patozi, tha se PD-ja nuk arriti dot që të ngjallte shpresën e demokratëve dhe se kërkohet ringritja e saj. Ai akuzoi Bashën për garë farsë duke theksuar se Selami merr pjesë për formalitet.
“Lëvizjen e nisim nga Durrësi, pasi ai është barometri i gjendjes së PD-së në të gjithë Shqipërinë. Ne humbëm për shkak të lidershipit të dobët. Humbëm për vendime që ai nuk i mori kurrë. Në rastin më të mirë, ne duhet të ishim e keqja më e vogël. Pastaj erdhi çadra me kauza të drejta, por arsyeja nuk ishte ajo. Lista ishte e gabuar, fushata e gabuar dhe marrëveshja e gabuar. Çfarë po ndodh sot me partinë tonë? Në kemi edhe precedentin e Berishës, që me 14 mandate la postin dhe u largua.
Basha po i mohon PD-së garën. Unë i kërkova atij që të ikte nga selia. Në vend të garës ai zgjodhi farsën. Një proces në kundërshtim me statutin. Basha na hoqi ne nga lista se kishte frike mos e hiqnim ne nga PD-ja”, tha Patozi.
DEKLARATA DHE 11 PIKAT E PATOZIT
Falenderim me mirënjohje për të gjithë ju demokrate dhe demokratë, që keni ardhur të na dëgjoni në kushte ekstreme të motit, por PD gjendet sot në kushte edhe më esktreme. Jo rastësisht kemi zgjedhur Durrësin si stacionin e parë të bashkëbisedimit me demokratët e Shqipërisë. Sepse në ka një qytet që mund të konsiderohet si barometër i gjendjes së PD ky është Durrësi. Kur na ka pranuar Durrësi kemi fituar gjithmonë, kur jemi refuzuar, kemi humbur përherë.
Do ta ndaj parashkrimin tim në tre pjesë:
Çfarë na ndodhi që mbërritëm në këtë humbje katastrofike, si po e trajtojmë atë sot dhe cila do të ishte zgjidhja që do të conte në bashkimin dhe ringritjen e PD. Me fjalë të tjera PD, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet.
Kam ardhur të them disa të vërteta, qofshin edhe të hidhura. Gjatë këtyre ditëve jo pa qëllim na kanë konsideruar si kundërshtarë të Bashës. Kjo nuk është e vërtetë. Kundërshtar ne të gjithë këtu kemi Edi Ramën. Unë vetë në karrierën time nuk jam marrë kurrë me njeriun, por me idenë. Ne jemi këtu si demokratë të shqetësuar për Partinë Demokratike, të cilën e duam të bashkuar dhe të fortë edhe me Lulzim Bashën apo me këdo tjetër. Nuk e shpikëm ne termin lista Basha apo ekipi Basha. Ishin të tjerë ata që e bënë dhe ju i njihni ata. Por tani ajo kaloi dhe ne duhet te nxjerrim mësime. Natyrisht, duke parë nga vetja.
Lulzim Basha është ende kryetari i partisë sonë dhe secili prej nesh nuk ndjehet mirë kur thotë apo dëgjon lajme apo opinione të këqija për të. Por ne jemi Partia Demokratike, ai nuk është mbreti ynë, për të cilin duhet të heshtim apo kafshojmë gjuhën, kur ai gabon.
Pse humbëm ne kaq keq në këto zgjedhje? Arsyet ishin disa, por unë po rendis vetëm kryesoret.
Lidership i dobët dhe kaotik, deri tre muaj para zgjedhjeve. Vendime që u vonuan, zvarritën apo nuk u morën kurrë. Struktura u demotivua nga zgjedhje të këqija apo nga mungesa e tyre. Dhe pas dy vjetësh humbja e zgjedhjeve lokale u quajt fitore.
Nuk e bëmë kurrë difrencën me kundërshtarin, dhe në rastin më të mirë, do të perceptoheshim si e keqja më e vogël. Nuk ngjallëm dot frymë dhe shpresë.
Pastaj erdhi cadra, që e ngriti pak adrenalinën. Kauza ishte e drejtë, por arsyeja nuk ishte ajo. Marrëveshja e gabuar, lista e gabuar dhe fushata e gabuar e rënduan më shumë pozitën elektorale të Partisë Demokratike, e cila, për fat të keq, korrri më 25 qershor atë që Lulzim Basha kishte mbjellë për 4 vjet.
Çfarë po ndodh sot me partinë tonë?
Humbje dëshpëruese, e cila duhet të shoqërohej me dorëheqje të parevokueshme. Kishim edhe precedentin e 4 viteve më parë. Por ky nuk ishte problemi më i madh. Lulzim Basha i mohoi PD një garë të drejtë dhe të pabarabartë, e vetmja mënyrë për ta mbajtur bashkuar dhe ringritur partinë.
Çfarë i kërkova unë? Ikjen nga selia, listat dhe një datë të përshtatshme. Asnjëra nuk u pranua. Në vend të garës, zgjodhi farsën, një proces tërësisht në kundërshtim me statutin, që duhet të mbarojë sa më shpejt. Sipas meje, ai po garon vetëm, sepse kandidati tjetër thjesht ka dashur të regjistrojë emrin. Ndonëse, për të qenë realist, fushatën nuk po e bën të keqe. Por ai ka hyrë në të në mungesë të plotë të rregullave minimale për një proces korrekt dhe të barabartë.
Ne nuk mund ta pranojmë këtë. Çfarë duhet që të bëjë më shumë një politikan që të mbajë përgjegjësi përpara partisë së vet. Unë nuk e pranoj që Lulzim Basha është fatkeqësi natyrore. Që na ra në pjesë dhe duhet ta durojmë, derisa të mërzitet vetë, por u mërzit ndonjëherë, dhe të largohet. Kjo nuk mund të ndodhë. Politika ka ligjësitë e veta.
Unë nuk e pranoj dot që Lulzim Basha ka dalë sot në fushatë dhe u drejtohet sot demokratëve sikur e ka për herë të parë. Sikur ai që humbi në shifra katastrofike më 25 qershor të ishte një tjetër, dhe jo pikërisht ai vetë.
Njeriu gabon, njeriu ndreq. Dhe njeriu jeni ju, anëtarët e PD, të cilët duhet të jeni të lirë të zgjidhni, por këta e kanë me ngut, duan të mbarojnë punë shpejt.
Është folur shumë për listat, janë sharë mbarë e mbrapsht shumë emra me kontribute të jashtëzakonshme tek partia jonë, pjesë e historisë së saj. Është thënë se ata e kanë për karrigen, por unë po u them, që ata u hoqën, që LB të mos kishte më punë me ju. Por që prej 22 korrikut e tutje të kishte në dorë një parti të re. Sepse, për fat të keq, atij i intereson më shumë një kasolle, e gjitha e vetja, sesa një pallat i madh, ku të kenë pjesë edhe të tjerët. Dhe ky është nuë keqkuptim i madh i tij, që ne duhet ta ndryshojmë.
Cfarë kërkojmë ne sot? Reflektim për humbjen dhe pastaj garë të drejtë dhe të pandikuar. Asgjë më shumë se kaq. Si e mendoj unë vetë Partinë Demokratike të së nesërmes, në rast se do të më jepej mundësia të shpallja alternativen time. Sipas meje;
1- Partia Demokratike ka nevojë që të riparojë me shpejtësi të gjitha defektet e rënda dhe efektet negative, që ka sjellë drejtimi i personalizuar. Në partinë tonë duhet të jenë aksionerë të gjithë anëtarët, për shkak të investimit të tyre të gjatë në vite. Vlera e aksioneve të gjithësecilit duhet përcaktohet nga meritokracia. Kryetari mund të jetë aksioneri më i madh, por kurrë pronari i vetëm.
2-Duhet të shndërrojmë me shpejtësi autoritetin e fortë te kryetarit në vendimmarrje të forumeve. Të kalojmë pa humbur kohë në drejtim me ekip ose në udhëheqje sa më kolegjiale të partisë. Dhe kjo të sanksionohet në statut, që të mos i lihet ta ndajë kryetari. Duhet zvogëlim i kompetencave të tij dhe kufizim i mandateve.
3-Përfaqësimi politik duhet të kthehet realisht në dorë të anëtarësisë dhe forumeve të PD. Ai duhet të përcaktohet strikt nga kriteret, kontributet dhe performanca. Por kurrë nga humori një njeriu apo qoftë edhe pak njerëzve. Kjo duhet të jetë e vlefshme për të gjitha nivelet, që nga seksioni e deri në parlament dhe më vonë kur të vijë dita edhe në qeveri.
4-Shenjtërimi i statutit. Duhet ta bëjmë me urgjencë. Askush dhe për asnjë arsye nuk mund të shkelë, qoftë një nen të vetëm të tij. Duhet të shndërrohet në biblën dhe kuranin e demokratëve. Arsyeja pse njerëzit qëndrojnë bashkë në një parti. Për shkak të anashkalimit të tij kemi mbërritur në këtë pikë. Asgjë nuk ka ndodhur ditën e fundit, por zullumi ka ardhur duke u trashur.
5-Përcaktimi në statut i dorëheqjes së kryetarit në rast humbjeje. Kurrë më në diskrecionin e tij. Mjaft kemi hequr me këtë punë. Kryetari nuk mund të shndërrohet në stres për partinë. Përkundrazi, të jetë gjenerator i shpirtit të saj, që e con drejt fitores.
6-Shndërrimi i Partisë Demokratike në një model për shoqërinë. Për demokracinë e brendshme dhe për respektimin e rregullave. Nesër në pushtet të kthehemi në shembull të sjelljes me ligjin dhe kushtetutën.
7-Rikthim tek respekti për kontributet dhe vlerat e PD në vite. Historia e saj është krenaria jonë. Simbolet, flamuri dhe shenjat dalluese, gjithashtu. Por ajo të mos shikohet si nostalgji, por si një instrument për të arritur fitoren. Duke respektuar gjithcka kanë bërë të tjerët deri më sot, ne projektojmë PD e së ardhmes.
8-Bashkimi i demokratëve, që nga viti 90 e deri më sot. Ftesë e sinqertë për ta. Jam i bindur se do të kthehen vetëm, kur të kuptojnë se partia e tyre ka ndryshuar për mirë. Por sidomos për ata 200 mijë votues, që i humbëm së fundi për shkak të gabimeve tona të rënda.
9-Por mbi të gjitha, bashkimi i Partisë Demokratike sot. Askënd për të humbur dhe gjithëkënd për të fituar. Kjo duhet të jetë deviza jonë. Nëse alternativa jonë do të votohet nga demokratët, dora e bashkëpunimit do të drejtohet në fillim nga Lulzim Basha dhe kushdo tjetër, që mendon si ai ose është i lidhur me të. Sepse, pavarësisht përgjegjësisë për humbjen e 25 qershorit, askujt nuk mund t’i mohohen kontributet e mëparshme apo ato që mund të vijnë në të ardhmen.
10-Partia Demokratike, të jetë shtëpia e lirisë e së djathtës shqiptare. Marrja e përgjegjësive për një riorganizim të saj, si nevojë e brendshme sociale e Shqipërisë, për shkak të zhbalancimit në krijuar në vite, por sidomos pas zgjedhjeve të fundit.
11-Partia Demokratike të shndërrohet shumë shpejt në tempullin e opozitës në Shqipëri, duke qenë se i takon të jetë forca udhëheqëse e saj. Pa asnjë paragjykim të ftojë cdo faktor edhe aktor të madh apo të vogël politik, që ka zgjedhur të refuzojë qeverinë, pa asnjë kompleks dhe me kurajo. Ne duhet të bëhemi zëri i fuqishëm i popullit të opozitës, në bashkëpunim dhe koordinim me cdo forcë tjetër politike që zgjedh të jetë kundërshtare e qeverisë.
Natyrisht, që ka edhe të tjera, për të pasur një parti bashëkohore europiane, por mbi të gjitha konkurruese, që të mundë Edi Ramën në përplasjen e parë. Por kjo nuk po lejohet, ndaj edhe unë ju ftoj të gjithëve:
çdo anëtar të PD, që nga Sali Berisha e deri tek anëtarët e seksioneve të Vermoshit e Konispolit, që të reagoni, me fjalë dhe me vepra për të shpëtuar Partinë Demokratike. Ka ardhur një moment që edhe heshtja është pajtim me të keqen, është dorëzim para saj, për të mos thënë bashkëfajësi.
Demokratët duhet të marrin në dorë fatin e partisë së tyre. Ju duhet të mbroni aksionet tuaja për të ndalur grabitjen në mes të ditës së mandatit të kryetarit te Partisë Demokratike. Kjo farsë duhet ndalur përpara 22 korrikut, atë ditë nuk mund të ketë votim, sepse rezultati është i paracaktuar. Dhe nëse kjo nuk ndodh, përgjegjësia nuk do të bjerë vetëm mbi Lulzim Bashën. Por edhe mbi ne të gjithë që e lejuam atë. Atëherë, të gjithë do të mendojmë se nuk ne meritojmë asgjë më shumë se sa të kemi një kryetar humbës, i cili me të gjitha gjasat, do të humbasë sërish, përherë e më thellë.
Unë nuk e pranoj dot ketë “dënim”, i cili nuk vjen prej Zotit, por prej njeriut, dhe si i tillë është i korrigjueshëm. Dhe jam i bindur se shumica e anëtarëve të Partisë Demokratike e mendojnë si unë.
Kjo nuk është një cështje personale, as e imja dhe as e miqve të mi. Kjo aq më pak është një cështje pushteti. Jam gati ta provoj këtë, mjafton që të krijohen kushtet për një garë korrekte, dhe unë nuk e kam fare problem të mos jem më kandidat për kryetar të Partisë Demokratike.
Të nderuar miq, ju falenderoj me shumë mirënjohje për durimin dhe vëmendjen, por ka ardhur dita që ne t’i dalim zot partisë sonë. Kjo nuk është thjesht një betejë për dinjitet, por më shumë se kaq. Partia Demokratike është aset kombëtar, është në radhë të parë pasuria e demokratëve të Shqipërisë. Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që ajo për shkak të një apo disa njerëzve të shndërrohet dita ditës në një kompani biznesi privat, që i bien aksionet përditë. Kam bindjen se bashkë do t’ia dalim. /MA.ME