Ai ka qenë për një kohë të gjatë, një nga zërat publikë që mbështeste çdo veprim të Lulzim Bashës.
Por, tashmë Agron Gjekmarkaj është kthyer në një nga zërat më kritikë kundër Bashës.
Sot ai ka kërkuar kthimin e Berishës në krye të PD-së, në mënyrë që kjo e fundit, sipas tij, të mos vdesë nën drejtimin e Bashës.
“Sali Berisha për 13 vjet e mbajti PD-në në pushtet dhe për 10 vjet të tjera u soll si shtet më vete pa e negociuar kurrë pozicionin e vet diktues. I bëri shumë të mira madhore Shqipërisë, sigurisht edhe dëme nga ato që nuk dalin dot kujtese sa do që t’i shtysh. Më i fundit po fillojmë të dyshojmë se është dhurimi i trashigimisë L. Bashës. Ai i thau të gjitha bimët përreth “lules” sa të shkëlqente veç ajo, si “manushaqja” e Naim Frashërit.
Kësaj radhe PD-ja e Bashës ka shënuar risi të plotë. Ajo, në asgjë nuk përputhet me historinë e vet tradicionale, madje as me veset, ndonëse s’kemi të bëjmë as me inovacion apo modernizim, por thjesht me ndërrim letrash në hipotekë, si për të përvetësuar një pronë. Listat për të cilat u tha se dhanë kontribut, veë Bashës edhe persona të familjes, biznesmenë etj. (kjo mbetet ende për t’u vërtetuar), fushata romantike ndaj Ramës e, mbi të gjitha, menaxhimi i humbjes, shfaqen para nesh një Lulzim Bashë të panjohur më parë, një tjetër që na nuk dihet kë bën me faj, ne që nuk e njohëm, apo atë që aktroi kaq bukur duke alternuar zotin Xhek dhe doktor Haidin.
Kjo nuk i përligj në hakërrim as një pjesë të grupit të kundërshtarëve të Bashës, të cilët luajnë karta puritanësh, sepse atë ndjesi e kanë humbur që kur morën postet e para. Disa syresh s’kanë asnjë kredo morale për të ofruar pos vetes për ta fshehur. Sa mirë do të bënin.
Personalisht e kam mbështetur Bashën për një kohë të gjatë, pa hezitim e pendim përballë një Kryeministri e pushteti tejet arrogant e kërcënues, deri sa Basha bëri marrëveshje me Ramën, jo pse bëri marrëveshje, por për pjesën e saj të parrëfyer që e shndërroi në subjekt qyfyresh, për listat si triumf i banalitetit, për goditjet ad personam, për fushatën pa shpirt, pa tharm, pa ide racionale, për arrogancën e përditshme pas katastrofës elektorale, për ligjërimin bosh e fyes në garën teatrale të këtyre ditëve, ngjarje këto, të cilat krijuan portretin e tij befasues e shqetësues. Një portret rrethuar me kukulla që mund të na bezdise, mund të na trishtojë, mund të na shkaktojë gaz, por që nuk ngjall më mëshirë.
Të kritikosh sot Bashën nuk është majtizëm, siç shprehen disa personazhe mediatike të dorës së tretë, por një përpjekje plot kokëçarje për të mos e parë opozitën e këtij vendi të administruar nga Engjëll Agaçi apo Taulant Balla, se Rama e quan punë të kryer. Këtë trazim e kanë të gjithë ata që me kujtesën historike një lidhje e kanë”, shkruan ai për Panorama.
“Në këtë pikë, Sali Berisha, i cili dukshëm do që të ketë një marrëdhënie me historinë, ka një detyrim. Ai me personalitetin e tij të fortë duhet t’ia marrë opozitën qeverisë dhe t’ia kthejë vendit, jo si kryetar, jo si i pavdekshëm, por si figurë karizmatike që mund ta bëjë këtë.
Berisha sot e kësaj dite i ka demokratët edhe ata 200 mijë që munguan në votime të mjaftueshëm për të bërë një opozitë të fortë dhe për t’u ringritur. Berisha mund të mbetet vetëm në sallë, por vetmia nuk e turpëron atë, aspak. Imagjinojeni atë të vetëm në Parlament dhe puthadorët e tij të deridjeshëm, duke e sulmuar në emër të koalicionit “Për Shqipërine Europiane”!?
Berisha thotë që është tërhequr. Kështu pat thënë edhe De Goli, por kur nevojat e Francës e thirrën, ai u kthye e mposhti egoizmin e tij. Berisha pat bërë thirrje për revolucion demokratik ndaj Ramës, por Basha i tij nuk e bëri kurrë.
Tani është koha që Berisha këtë revolucion demokratik ta bëjë në Partinë Demokratike për të shpëtuar pluralizmin dhe kthyer opozitën së djathtës e Shqipërisë njëkohshëm dhe menjëherë asaj një garë të vërtetë. Nëse një ditë Basha kthehet kokulur e me lot në sy si plangprishës të cilët i dalin pa vështirësi, pse jo, ta pranojë! Basha si vartës nuk duket keq.
Ky akt i mbramë shumë më tepër se ato që ia njohim Berishës si vlera do t’i kujtohej gjatë nga historia dhe historianët. Me kaq sa thamë, Sali Berisha nuk bëhet as më shenjtor e as më djall. Ai mbetet Sali Berisha me virtyte e cene, por gjithsesi një politikan me të cilin Edi Rama nuk luan dot, një politikan që mund të humbasë partinë dhe të fitojë mbështetësit e saj. Një politikan që di të bëjë opozitë si askush tjetër. Na mungon ky ekzotizëm. Ai ka punuar që të mbetet i vetëm, i pa krahasueshëm, dhe ia ka dalë. Ndaj sot i kërkohet të luajë atë rol që të tjerët afër skenës nuk kanë shpatulla ta mbajnë.
Nëse gjithçka luhet me dashjen e tij, atëherë thjesht kemi të bëjmë me një tepsi plot me mbeturina ….Kush të dojë le ta hajë. Hamleti thotë “diçka është kalbur në Danimarkë”, këtu mund ta përshtasnim gjithçka është kalbur. Të shpresosh nuk është mëkat. Come back (kthehu) Sali Berisha për të fundit herë, për pak kohë! Të presë mëshirën e Bashës apo të metaforës së Kunatit për herën tjetër nuk duhet të ketë qenë qëllimi i jetës së tij. Në këtë pikë duhet t’ia ketë zili Ibrahim Rugovës, i cili iku këso bote pa e parë krijesën e vet (LDK) të bastardhuar, forcë e tretë, të nëpërkëmbur nga “partizanët e rinj”!”, vijon ai.