Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet, sipas Kodit Penal në Shqipëri.
Nëse nga vepra penale shkaktohen pasoja të rënda materiale, dënimet me burgim mund të arrijnë deri në dhjetë vjet. Por, dënimet për zjarrvëniet në Shqipëri numërohen me gishta, ndonëse vendi, sidomos në sezonin e verës, përfshihet nga qindra zjarre që në pjesën dërrmuese janë të qëllimshme dhe më dëme të mëdha materiale.
Vetëm në Qarkun e Gjirokastrës në harkun e gati një muaji janë shënuar këtë vit mbi 30 zjarre, ndërsa këto ditë në Shqipëri shënohen 10-20 vatra zjarri çdo ditë. Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme flasin se gjatë vitit 2016 në shkallë vendi u regjistruan 16 procedime penale ne katër persona të pandehur. Por sipas Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm të vitit 2016 vetëm një çështje iu dërgua gjykatës dhe vetëm një person rezultoi i dënuar.
Numri i procedimeve ra krahasuar me vitin 2015 kur u shënuan 27 raste për zjarrvënie të qëllimshme, por nga të cilat nuk u dërgua asnjë në gjykatë dhe nuk pati asnjë person të dënuar.
Mosndëshikimi për zjarret nxit djegiet e qëllimshme
Specialistët e pyjeve flasin me shqetësim për nivelet e ulta të ndëshkimeve nga organet e drejtësisë të cilat kanë nxitur zjarrvëniet e qëllimshme. Në Shqipëri ka një “traditë të keqe” të barinjve që djegin kullotat me pretendimin për ripërtëritjen e tyre me shirat e parë të vjeshtës. Në mjaft raste këto zjarre të qëllimshme dalin jashtë kontrollit dhe nga sipërfaqet kullosore prekin sipërfaqe të mëdha pyjore.
Barinjtë shihen si zjarrëvënësit kryesorë dhe ndonëse shërbimet pyjore marrin prej tyre deklarata të përvitshme për mospërsëritje kontratash në raste zjarresh në sipërfaqet që ata kanë me qera, asnjë prej tyre nuk penalizohet edhe nga ana administrative.
Sipas Raporteve të Emergjencave Civile, rreth 30 për qind e zjarreve në Shqipëri ndodhin në pyje duke sjellë dëmtime të sipërfaqeve që kanë pasur pasoja edhe nga prerjet e paligjshme. Kryetari i organizatës jo qeveritare Federata e Pyjeve në Gjirokastër, Kleanthi Mandi thotë se masat ligjore duhet të jenë më të ashpra. Sipas inxhinierit pyjor, dëmi ekonomik nga zjarret është kolosal për pyjet të cilat kanë pësuar vitet e fundit pasoja të mëdha nga prerjet e pakontrolluara dhe keqmenaxhimi.
Vetëm dy ditët e fundit në qytetin e Tepelenës zjarri dogji rreth 17 hektarë të kurorës së gjelbër duke dëmtuar edhe pisha shumëvjeçare, dhjetëra pemë ulliri, ekonomi të bletëve dhe pasuri të tjera të qytetarëve. Ndërsa dëmi vetëm nga kjo vatër zjarri llogaritet në miliona euro ende po hetohet mbi personat përgjegjës dhe nuk ka asnje te arrestuar./VOA
a.ç