Nga Armando Meta/
Paralelisht me fushatën për kryetar të PD-së mes Bashës dhe Selamit, ditët e fundit mjaft degë të kësaj force politike janë rebeluar dhe kanë hartuar një sërë peticionesh ku kërkojnë mbledhjen me urgjencë të Këshillit Kombëtar të PD-së. Në krye të kësaj lëvizje qartazi duket se është vendosur deputeti Astrit Patozi, por edhe një sërë anëtarësh të Këshillit Kombëtar, ish deputetë, ish ministra dhe mjaft figura të tjera në PD-së. Po çfarë fsheh në vetëvete kërkesa për mbledhjen me urgjencë të Këshillit Kombëtar? Referuar statutit të PD duket qartazi se ideuesit e kësaj lëvizje në bazë kanë 4 qëllime. Së pari të deligjitimojnë në rrugë statutore procesin e zgjedhjes së kryetarit të PD që do të dalë nga gara Selami- Basha; së dyti të japin një mesazh të qartë që kushdo që të jetë fituesi i kësaj gare praktikisht do të jetë i izoluar nga forumet vendimarrëse të PD-së; së treti procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD-së, mbi bazën e deligjitimimit të procedurave nga Këshilli Kombëtar, do të jetë i atakueshëm në gjykatë; së katërti objektivi final i mbledhjes së Këshillit Kombëtar do të jetë thirrja e Kuvendit Kombëtar të PD-së, shkruan javanews.
Në bazë të statutit të PD-së, neni 37 pika 1, “Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe në se e kërkojnë ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast mbledhja thirret jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes”. Është pikërisht ky nen statutor ai i cili shihet si shteg-kalimi për të mundësuar thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar. Ndaj dhe peticionet synojnë drejt këtij qëllimi. Është ky forum i cili më pas ka të drejtën po në bazë të statutit që të thërrasë edhe Kuvendin Kombëtar të PD, i cili me anë të një mocioni mosbesimi të propozuar nga Këshilli Kombëtar i PD-së, voton për shkarkimin e kryetartit të PD-së. Pra si Salami ashtu edhe Basha mund të përballen me një mocion mosbesimi, pavarësisht se kush do të votohet si kryetar i PD-së
Në nenin 35 pika 4 që bën fjalë për Kompetencat e Kuvendit Kombëtar thuhet se forumi më i lartë i PD-së, “vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar”. Pra siç shihet rebelët në PD, po përpiqen që nëpërmjet rrugëve legale që ua mundëson statuti i PD-së, të shkarkojnë këdo që do jetë fitues nga gara Basha- Selami. Për këtë qëllim fillimisht duhen firmat e ¼ së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ku më pas të kenë mundësinë që të thërrasin mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së për shkarkimin e kryetarit që do të dalë nga zgjedhjet brenda PD-së, shkruan javanews.
Pengesat për peticionet
Por për të mbërritur deri në këtë pikë nuk është aq e lehtë, pasi statuti i PD-së, ashtu si dhe statutet e shumë forcave politike në vend, i le dorë të lirë kryetarit në vendimarrje. Kur është fjala për masa disiplinore ku përfshihet edhe shkarkimi duhet të paktën 2/3 e votave të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Nga ana tjetër edhe thirrja e Kuvendit nuk është një proces kaq i lehtë pasi si për thirrjen e Këshillit Kombëtar ashtu edhe të Kuvendit, duhet në një farë mënyre edhe dakortësia e kryetarit. Sipas statutit të PD në Nenin 37, që bën fjalë për Kompetencat e Këshillit Kombëtar në pikën 1 thuhet se “Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari (ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të Kryetarit) në marrëveshje me Kryesinë e Partisë”. Pra nuk është kaq e lehtë sa duket, ndonëse mund të depozitohen edhe firmat për thirrjen e Këshillit Kombëtar. Gjithësesi në kushtet kur Basha është tërhequr nga funksioni i kryetarit të PD-së, çelësat duket se kanë mbetur në duart e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, i cili ka funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm në PD. Në një farë mënyre Ristani sërish do të jetë përcaktues për fatin e Bashës kryetar, por këtë rradhë si kryetar i PD-së.
Kuvendi Kombëtar
Edhe mbledhja e Kuvendit të PD-së ka kleçkat e veta. Sipas statutit, në Nenin 34 pika 6 thuhet se “Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia Qendrore me propozim të Kryetarit të PD-së. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë ¼ e anëtarëve të PDSH ose ¼ e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit”. Pra sërish ka jo pak pengesa pasi duhet edhe verifikimi i firmave të atyre që e kërkojnë etj., etj.
Statuti i PD
Neni 37 pika 1
“Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe në se e kërkojnë ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes”.
Neni 35 pika 4
“Vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar”.
Nenin 37, pikën 1
“Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari (ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të Kryetarit) në marrëveshje me Kryesinë e Partisë”
Nenin 34 pika 6
“Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia Qendrore me propozim të Kryetarit të PD. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë ¼ e anëtarëve të PDSH ose ¼ e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit”. /javanews.al