Dy persona po ndiqen penalisht në Vlorë, pasi akuzohen se kanë fshehur të ardhurat e mallrave që janë futur kontrabandë.
Policia ka nisur ndjekjen penale për 56-vjecaren me inicialet K.V dhe 52-vjecarin A.M me profesion Ekonomist.
“Policia e Vlorës ka filluar proçedimin penal në ngarkim të tyre pasi më datë 10.07.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin tregtar në pronësi të 56 vjecares në lagjen ”24 Maji”, u gjetën një sasi mallrash (veshmbathje) për të cilat 56-vjecarja nuk dispononte faturë tatimore të blerjes së tyre.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetësia me inicialet K.V, i paguante me para kesh në dorë shumën prej 5000 lekë të rinj në muaj ekonomistit me inicialet A.M me qëllim që ky i fundit të mbyllte veprimet e tjera në organet tatimore,” thuhet në njoftimin për mediat.
Kjo lloj pagese është kryer për rreth 4 vite me radhe në mënyrë ilegale, pa lidhur asnjë kontratë të ligjshme për kryerjen e pagesave.
Materialet u referuan në Prokurori për veprat penale ”Fshehja e të ardhurave” dhe ”Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, parashikuar nga nenet 180 dhe 178 të Kodit Penal. /b.d