Nga Mero Baze
Për të gjithë ata opozitarë që mendojnë se zgjedhjet e 25 qershorit kanë pasur ndonjë problem, duhet t’i hedhin një sy dhe t’i krahasojnë me standartin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike, për të kuptuar ku qëndron problemi i kësaj partie.
Së pari, sa i përket garës, Partia Socialiste dhe aleatët e saj, bënë një përpjekje dhe durim 4 mujor, për të bindur kundërshtarët e tyre të hyjnë në zgjedhje, duke paguar një kosto të padrejtë dhe të pandershme për këtë. Partia Socialiste në pushtet, u detyrua t’i dorëzojë qeverinë kundërshtarëve për t’u kujdesur për zgjedhjet dhe gjithë agjensitë më të rëndësishme shtetërore. Praktikisht, Edi Rama e solli artificialisht në pushtet kundërshtarin për një muaj, vetëm për hir të një gare reale.
Lulzim Basha në Partinë Demokratike, ka bërë të kundërtën. Ai jo vetëm që nuk ka pranuar asnjë kërkesë të kundërshtarëve të tij për garë të barabartë, por e ka përjashtuar kundërshtarin e tij real, Astrit Patozi, nga gara, duke marrë për këtë një vendim arbitrar kryesie.
Ndërsa në zgjedhjet e 25 qershorit, lista e votuesve, sipas Kodit ishte gjashtë muaj më parë publike dhe ka kaluar tre procese verifikimi dhe përmirësimi, Lulzim Basha nuk ka pranuar t’u japë kundërshtarëve listën e votuesve të Partisë Demokratike, duke e shpallur PD-në parti ilegale, si Partia Komuniste Shqiptare deri në vitin 1948.
Ndërsa në zgjedhjet e 25 qershorit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ju dha opozitës, për të rritur besimin në zgjedhje, në PD, kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve, del e kërcënon verbalisht kundërshtarët e Bashës, se “do të hapë kutinë e zezë”, a thua se PD është mbytur në oqean dhe kryetari ka gjetur “kutinë e zezë” ku shpjegohet si e ka mbytur PD-në, Jozefina, Astriti, Selami, Majlinda apo Besniku.
Ndërsa në zgjedhjet e 25 qershorit, policia ishte në gatishmëri gjithë fushatën, duke përcjellë Lulzim Bashën me masa të forta sigurie dhe çdo kandidat në garë, në zgjedhjet e PD, fushata filloi duke kërcënuar Eduard Selamin dhe po vazhdon duke rrahur deputetë në detyrë, që janë kundër Bashës.
Ndërsa në zgjedhejt e 25 qershorit, partia në pushtet, pranoi të humbiste në Kavajë, me rreth 20 vota, ndërkohë që rreth 1500 të tjera janë të pavlefshme, duke i dhënë legjitimitet verdiktit të kutive të votimit, në Partinë Demokratike, nuk numërohen as votat e kryesisë së PD, që votoi për kandidatët, duke dhënë tjetër rezultat kundërshtarët, tjetër zëdhënësja e PD, e tjetër procesverbali.
Nëse në zgjedhjet e 25 qershorit, shumica fituese zhvilloi një fushatë të qetë dhe kryeministri, maksimumi akuzohet se ka bërë gallatë me kundërshtarët, në PD ka shpërthyer një urrejtje e neveritshme ndaj kundërshtarëve, duke i cilësuar spiunë, tradhtarë, të shitur dhe po i gjurmojnë dhe në jetën e tyre private, apo duke u survejuar familjet.
Nëse në zgjedhjet e 25 qershorit, Lulzim Basha ishte një kandidat jo frymëzues, disfatist dhe i braktisur, i tillë është dhe në zgjedhjet e PD, por me ndryshimin thelbësor se këto zgjedhje do t’i fitojë.
Arsyeja?
Arsyeja është se këto nuk janë zgjedhje, nuk janë si 25 qershori dhe mbi të gjitha, nuk bëhen për të shpallur një fitues, por për të mbrojtur një humbës.