Pas ngjarjes tronditëse, kur një 18-vjeçare nga qyteti i Gramshit ndërroi jetë pas operacionit ka folur nëndrejtori i Shërbimeve Klinike, Alban Hoxha, në lidhje me ngjarjen.
Sipas Hoxhës, të premte Ketjona Ibrahimi u paraqit në spitalin e Gramshit dhe pas ekzaminimit u drejtua për një urgjencën e Elbasanit.
“Pas ekzaminimit u drejtua për në urgjencën e Elbasanit, të shtunën është kërkuar një konsultë e mjekut kirurg, i cili ka përjashtuar problemet kirurgjikale. 18-vjeçarja nuk është më në kirurgji. Pacientja u dërgua në pavionin e Gjinekologjisë, ekipi i së cilës vendosi për ndërhyrjen kirurgjikale. Pacientja doli jashtë sallës në gjendje të stabilizuar. Ne presim përfundimin zyrtar të autopsisë. Shkak për vdekjen dyshohet mpiksja e gjakut në mushkëri” deklaroi Hoxha.
Ketjona Ibrahimi nga qyteti i Grmashit shkoi me këmbët e veta në sallën e operacionit, por fill pas tij ajo ndërroi jetë pas disa komplikacionesh, siç thonë familjarët e saj.
Këta të fundit hodhën akuza të forta mbi mjeken kirurge që e operoi në Elbasan, ndërsa një i afërm i Ketjonës i kontaktuar nga BalkanWeb thotë se ende nuk e kanë marrë vesh nga se vuante kushërira e tij.
Sipas tij, më 8 korrik rreth orës 3 të natës e reja është zgjuar me dhimbje të forta barku, të vjella dhe gjakderdhje. Të alarmuar i janë drejtuar spitalit të Gramshit, por duke qenë se gjendja e të resë paraqitej e rëndë, ajo është dërguar me urgjencë në Elbasan.
“Atje nuk na dhanë shpjegime, i bënë vetëm qetësues dhe analizat, pastaj e futën me urgjencë në operacion. Rreth orës 7 të mëngjesit morëm vesh lajmin e hidhur”,- u shpreh ai për BalkanWeb./a.m.