Kur vjen puna për të kthyer kredinë në një bankë rezulton se më të përgjegjshëm janë individët sesa bizneset. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2016, vetëm 10% e huasë që ishte dhënë për individët ishte në vonesë prej më shumë se tre muajsh, nga 13% që kishte qënë ky tregues një vit më parë.
Historikisht, bankat kanë konstatuar se individët kanë qënë më të rregullt me kthimin e huave. Kjo lidhet me faktin që në pjesën më të madhe ata marrin hua për të blerë një shtëpi për të banuar dhe bëjnë ç’është e mundur për ta shlyer atë, në të kundërt rrezikojnë që përmbaruesi t’u marrë shtëpinë.
Por ndryshe është situata me bizneset. Kryesisht ato vijojnë të jenë problematike me kthimin e huave që kanë marrë nga bankat, e cila është në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, 21.4% në rritjen e fortë të huasë së pakthyer në afat në banka ndikoi dhe përqëndrimi i lartë i disa kompanive, ku 35 sipërmarrës krijuan 65% të kredisë së keqe të sistemit. Ndërkohë një pjesë e këtyre kompanive tashmë janë në fazë ristrukturimi, ndërsa për 7 prej tyre ka nisur proçedura e falimentimit.
Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, sipas Bankës së Shqipërisë rezulton se portofoli i kredive me probleme në valutë paraqet një tregues më të lartë me 21.5% (20.3% në fund të vitit të kaluar), krahasuar me portofolin e kredive në lekë me 13.7% (15% në fund të vitit të kaluar).
Kreditë në valutë janë marrë më së shumti nga biznesi dhe nga ana tjetër ato janë prekur nga zhvlerësimi i fortë i lekut pas vitit 2008, ku monedha e përbashkët kërceu nga 124 lekë në 140 lekë në periudhën 2010-2015, ndërsa aktualisht ka zbritur sërish në rreth 132-133 lekë.
Ndërsa në muajin maj 2017, treguesi i kredisë me problem zbriti në 15.86%, në krahasim me 16.6%, që ishin muajin e mëparshëm.
Gjatë dy viteve të fundit bankat kanë zbatuar proçesin e fshirjes së huave, sipas të cilit hiqen nga bilancet e bankave kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë të ndiqen nga bankat.
Huatë me probleme janë ulur ndjeshëm nga niveli i tyre më i lartë prej gati 25%, që arrin në tremujorin e tretë të vitit 2014./Monitor
ma.me