Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi paralajmëron se Task-Forca e ujit do vijojë të jetë në fuqi deri në fund të stinës së verës, pasi moti i thatë dhe me temperatura të larta parashikohet të vijojë. Prej dy javësh, Bashkia e Tiranës ka shpallur emergjencën e ujit, pas thatësirës që ka prekur vendin.
Numri dy i bashkisë, i ftuar në studion e Report Tv, tha se Task-Forca do vijojë me prerjet e lidhjeve abuzive të ujit të pijshëm. Sipas tij, deri tani ky grup pune ka prerë 320 lidhje të paligjshme.
“Task-Forca ka ndërhyrë në rrjet duke prerë 320 lidhje të paligjshme.
Në rastet e emergjencës, nevojitet kursimi i ujit dhe ndërprerja e lidhjeve abuzive. Ne jemi banorë të këtij qyteti dhe shikojmë lavazhin, komshiun që ka një lokal dhe ujit bahçen, rrugën etj.
Në momentin kur hyhet në fazë emergjente, e cila mbrohet nga pikëpamja ligjore, bëhet thirrje që të mos shpërdorohet. Në momentin kur thua se do laj lokalin dhe e paguaj, mund ta lajë edhe me një formë tjetër, duke mos shpërdoruar sasi të mëdha uji, pasi kjo do lerë pa ujë pjesën tjetër.
Pra sensibilizimi është kryesorja dhe tjetra periudha e Task-Forcës do vijojë gjatë gjithë periudhës së verës, sepse moti është shumë i thatë dhe me temperatura të larta”, u shpreh nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi.
Në kushtet kur situata është në përkeqësim dhe qyteti mund të vuajë mungesën e ujit, Seferi tha se të gjitha strukturat e bashkisë janë të mobilizuara për t’i dhënë zgjidhje në rrugë dytësore.
“Janë 25 autobote që bëjnë furnizimin me ujë të pallateve në rast se kjo situatë do vijojë”, tha me tej nënkryetari i bashkisë.