Kozma Dushi ka një karrierë të gjatë në muzikë e si artist i ka dhuruar publikut disa këngë të cilat i kanë mbijetuar kohës e vazhdojnë të dëgjohen edhe sot. “Eja o shoku ynë”, “Lule në dritare” etj. janë disa prej këngëve që shumëkush i këndon sapo i dëgjon. Prej disa javësh këngëtari i njohur është vënë në shenjestër nga publiku. Kjo, për shkak të një llogarie në Facebook që mban emrin e tij.
“Kozma Dushi zyrtare” është emri i faqes që shkruan statuse të ndryshme me gabime ortografike dhe shkrime kundër titujve që presidenti Bujar Nishani ka shpërndarë kohët e fundit. Statuset e tij janë kthyer në objekt talljeje ndaj një artisti kaq të vlerësuar, jo vetëm nga fansat por dhe kolegë të tij.
Rovena Dilo dhe Kastro Zizo kanë qenë dy prej të cilëve kanë komentuar në statuset e “Kozmait” duke ironizuar mënyrën e të shkruajturit. Në fakt nuk është ende e qartë nëse ata kanë dijeni nëse profili i përket Kozma Dushit ose jo. Blitz.al ka kontaktuar me këngëtarin e mirënjohur për të marrë një informacion të vërtetë mbi këtë llogari në emër të tij. Kozma Dushi është shprehur i indinjuar ndaj këtyre njerëzve, por sidomos ndaj personit që është duke i dëmtuar imazhin.
“Ajo nuk është adresa ime.
Asnjë nga fjalët e shkruara aty nuk janë bërë nga dora ime.
Jam shumë i mërzitur dhe i indinjuar.
Unë nuk kam as Facebook, as e- mail, as Instagram, asnjë rrjet social.
Atë faqe e ka hapur një person që dëshiron të më dëmtojë imazhin tim si artist i njohur, si këngëtar që kam marrë pjesë në 35 festivale dhe është vlerësuar me çmime.
Ai që po e bën këtë është një person me zemër të keqe por nuk mundet kurrë të më diskretitojë si artist.
Do interesohem që ajo llogari të mbyllet.
Ai merr foto që postojnë miqtë e mi në rrjete sociale dhe u vendos shkrime.
Përsa i përket atij postimit për titujt unë nuk jam askush për të thënë se kush duhet ta marrë apo jo titullin “Mjeshtër i madh”.
Jam shumë i indinjuar!”,– është shprehur këngëtari i mirënjohur.
Kjo nuk është hera e parë që dëgjojmë se persona të paautorizuar kthejnë në objekt talljeje artistë të mirënjohur të skenës.
Megjithatë, Kozmai ka treguar se për këtë fakt do t’u drejtohet edhe autoriteteve pasi situata po bëhet e patolerueshme.
ma.me