Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile vijon të mbajë nën monitorim të gjithë situatën e vatrave të zjarreve në vend. Gjatë orëve të fundit në të gjithë vendin janë shfaqur 5 vatra zjarri në Shkodër, Tiranë, Berat, Korçë dhe Vlorë.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë dhe kanë situatën nën kontroll edhe pse era e fortë dhe terreni i malor ka vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve.
QARKU SHKODËR
Vatra e zjarrit në fshatin Hoten, Vau i Dejës në malin e Kakariqit është riaktivizuar gjatë paradites. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë ndërkohë në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe 30 forca të ushtrisë.
QARKU VLORË
Në kurorën e Sarandës ka rënë një zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarrfikëset janë duke punuar për të shuar flakët.
QARKU TIRANË
Në fshatin Mjull-Bathore, Tiranë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ulli. Aktualisht zjarrfikëset kanë izoluar flakët dhe po punojnë për shuarjen e të gjithë zjarrit. Nga informacionet e paraprake rezulton se janë djegur pjesërisht rreth 15 rrënjë ullinj.
QARKU KORÇË
Në fshatin Gështenjas, Pogradec ka rënë zjarr në një sipërfaqe të vogël me shkurre dhe ferra. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të shuar flakët dhe situata është nën kontroll.
QARKU BERAT
Në fshatin Radesh, Skrapar zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Aktualisht zjarri është vendosur nën kontroll është drejt shuarjes.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198./a.m.