Një ditë përpara takimit të parë ballë për ballë me homologun rus Vladimir Putin, Donald Trump deklaroi në Varshavë se askush nuk e di me saktësi nëse rusët kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Trump e akuzoi Moskën për sjellje agresive. “Bashkë me Poloninë po elaborojmë mënyra se si të reagojmë ndaj sjelljeve agresive dhe destabilizuese të Rusisë”, tha Trump.
Por për kreun e Shtëpisë së Bardhë, Moska nuk ka qenë e vetmja në këtë përpjekje. “Mund të kenë qenë dhe shtete të tjera që kanë tentuar ndërhyrjen në procesin zgjedhor amerikan”, tha Trump, i cili megjithatë nuk përmendi se cilat janë ato shtete.
“Nuk do të tregohem specifik, ama mendoj se mund të kenë ndërhyrë shumë njerëz. Askush nuk e thotë dot me siguri çfarë ka ndodhur”, vazhdoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Zyrtarë të lartë të shërbimeve amerikane të inteligjencës kanë dalë në përfundimin se Putin urdhëroi nisjen e një fushate kibernetike për të ndikuar në votat e muajit nëntor, me qëllim që të favorizohej Trump në përpjekjet për marrjen e presidencës./a.m.