Donald Stafa, bashkëshorti i 19-vjeçares, e cila u arrestua për tentativën e vrasjes së vjehrrës, duke i hedhur helm në gotën e kosit, prej muajit maj të këtij viti, ndodhet në Greqi.
Ai është lajmëruar për ngjarjen dy ditë më parë nga familjarët e tij, por ende nuk e ka gjetur mundësinë për t’u kthyer. Ne biseduam në telefon me dhëndrin 20-vjeçar, për ta pyetur në lidhje me atë çfarë kishte ndodhur, por mësuam se ai nuk dinte shumë rreth rrethanave të ngjarjes.
“Më lajmëruan për atë që u ka ndodhur nënës sime dhe nuses, por nuk e di ende se si ka ndodhur saktësisht. Kur të kthehem në Shqipëri do ta mësoj të vërtetën. Në momentin që të kthehem nga Greqia mund të flas, por tani nuk kam çfarë t’u them, sepse as vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur”, u shpreh ai gjatë bisedës telefonike.
Donald Stafa është martuar me Elda Tanushin rreth 6 muaj më parë. Ndërsa më 14 maj ai ishte larguar nga Shqipëria duke filluar punë në Greqi.
Martesa e tyre ishte bërë me mblesëri, pasi dy të rinjtë nuk njiheshin më parë me njëri-tjetrin. Ai me familjen e tij jetojnë në fshatin Likesh të Shijakut, ndërsa vajza e familja e saj në fshatin Zall-Reç, të Dibrës.
Por halla e Elda Tanushit jeton në të njëjtin fshat me familjen e dhëndrit dhe ajo kishte ndërhyrë që të bëhej kjo martesë. /Panorama/