Humbja e zgjedhjeve të 25 qershorit për Partinë Demokratike pati një ndikim të madh jo vetëm në këndvështrimin politik, por dhe në strukturat brenda saj. Shumë anëtarë të PD fajësojnë kreun e opozitës Luzim Basha si personi i vetëm përgjegjës për rezultatin zhgënjyes i cili jo vetëm që nuk arriti që të mposhtë kundërshtarët politik, por pësoi një humbje të thellë.
Deputeti i PD-së Luçiano Boçi thote se edhe pse rezultati nuk ishte ai që priste PD-ja, në zgjedhjet e 25 qershorit pati presion të madh nga faktorët politik tek votuesit. Për Boçin, votimi sipas rregullave tashmë ka rënë.
Marrëveshja e 18 majit për Boçin nuk e ka arritur qëllimin që pritej, teksa shprehet se ky pakt i shkaktoi PD-së një dëm të madh.
“Ishte një marrëveshje e sforcuar, nën ndikimin e shumë faktorëve, për të ndrequr sadopak sistemin tonë të tronditur të votës së lirë dhe të ndershme. Nuk ia arriti qëllimit për mendimin tim. Dëmin më të madh për fat të keq, shumë larg dëshirës dhe qëllimit që u bë ajo marrëveshje nga ana jonë, e ka marrë pikërisht ai që përcakton vlerën e partive që është vullneti i sovranit.
U deformua, u detyrua, u ble, u transformua për shkak të elementeve ekstra politikë. Fitorja e PS mund të ketë çfarëdo ngjyre e shije brenda saj, por vetëm ngjyrën dhe shijen e sovranit mendoj se nuk e ka. Vullneti i tij nuk është thjesht numër, por dhe proces dhe përmbajtje. Nga kjo pikëpamje ky është një vullnet krejtësisht bosh. Pra fitorja e PS është një lloj fitore bosh, që nuk thotë asgjë dhe nuk ngjall asgjë”, thotë ai për Dita.
I pyetur për koalicionin e mundshëm mes PS-PD, deputeti demokrat e mohon një gjë të tillë, duke thënë se kjo është një zhurmë mediatike dhe nuk ka asgjë konkrete:
“Është një koalicion i përfolur pa ndonjë bazë konkrete. Më shumë mediatik se sa politik, i cili i referohet relativizimit të gjuhës politike të kryeministrit se sa një dokumenti politik konkret. Është absurde që një forcë politike e cila ka fituar e vetme shumicën e vendeve në parlament të kërkojë koalicione. Boshllëkun e fitores së saj nuk e mbushin koalicionet, por vërtetësia e votës e cila sot është nul. PS nuk mund të pagëzohet në lumin e PD“.
a.ç