Kryebashkiaku Erion Veliaj tha dje se ndërtimi te zona e “21 dhjetorit” nuk do të cenojë asnjë hapësirë publike për qytetarët. Duke treguar foto të zonës, Veliaj vuri edhe një bast publik, duke thënë se nëse aty nuk do të ketë në përfundim të zhvillimit të zonës 12,000 metra katrorë lulishte, ai do të japë direkt dorëheqjen nga kryetar i Bashkisë së Tiranës.
“Kam kërkuar qoftë për teatrin e Lulzim Bashës, nëse janë 12,000 metra katrorë lulishte, pas ndërtimit do të jenë aty 12,000 metra katrorë lulishte, sepse pronë e familjes Nela janë edhe godinat e Policisë Bashkiake. Nëse në fund nuk ka lulishte, nuk do të jem më kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ajo do të jetë lulishte reale”, tha Veliaj.
Veliaj sqaroi se Basha ka miratuar planin rregullues të Tiranës, sipas të cilit aty do të ndërtohej. “Pra e vetmja gjë që mund të bëja në një proces të nisur, me ligjet që flasin shumë qartë, me një plan të aprovuar thashë më mirë t’i arkëtoj këto para Bashkia e Tiranës sesa ti merrte këto para, siç thotë kompania, kunati i Lul Bashës, siç thotë vjehrri, siç thotë dhëndri, siç thotë ish-kryetari i bashkisë sot kryetar i Partisë Demokratike. Kjo është e para. Pra të sqarojmë një gjë, bashkia ishte dje në takim edhe me banorët dhe banorët kur janë pa sekserët politikë dhe pa kunatin dhe dhëndrin që organizojnë protestën e pranojnë, thonë jo në fakt, ajo ka qenë gjithmonë tokë private. Sot në bashkinë e Tiranës do të paguhen 5 milionë euro taksë. Nëse mendoni se bashkia nuk ka nevojë për taksë ma thoni, por bashkia me taksa mbahet”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se në zonën e 21 dhjetorit do të ndërtohet edhe një godinë pesë katëshe me parkim nëntokësor, ku do të vendosen disa shërbime të Bashkisë së Tiranës për të përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. /b.d