Rusia dhe Kina i bënë thirrje Koresë së Veriut që të ndalojë programin e saj bërthamor dhe atë të zhvillimit të raketave, pasi vendi komunist testoi me sukses raketën e tij të parë balistike ndërkontinentale.
Dy superfuqitë u kërkuan gjithashtu Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut që të ndërpresin stërvitjet ushtarake të përbashkëta që po zhvillojnë aktualisht.
Sipas Koresë së Veriut, raketa e saj mund të godasë çdo objektiv në botë, por megjithëse duket sikur Peniani ka shënuar progres, ekspertët thonë se raketa e saj nuk mund të godasë me saktësi një objektiv.
Kjo nuk duket të ketë qetësuar fqinjët e Koresë komuniste, si Japonia apo Koreja e Jugut, pasi nëse raketa është bërthamore, pak rëndësi ka nëse nuk godet saktësisht objektivin. Edhe anëtarët e klubit bërthamor nuk duan një Kore të armatosur me këto armë, por ndërsa cilësuan testimin e raketës të papranueshëm, Rusia dhe Kina, të cilat kanë kufi tokësor me Korenë e Veriut, nxitën gjithashtu Shtetet e Bashkuara që të mos dislokojë sistemin antiraketor “THAAD” në Korenë e Jugut.
Koreja e Veriut lajmëroi në televizion testin e suksesshëm të raketës balistike ndërkontinentale dhe e radhiti veten mes fuqive bërthamore, megjithëse ekspertët thonë se, edhe nëse shifrat e testit janë të vërteta, Koreja komuniste ende nuk ka teknologjinë për të zvogëluar një mbushje bërthamore aq shumë, sa ta vendosë në raketë.
a.ç