Kryesia e PD ka vendosur dje kundër shtyrjes të zgjedhjeve për kryetarin pas 22 korrikut. Rezultati i votimit të këtij propozimi dje në Kryesi ishte 11 vota pro kërkesës së grupit kundër Bashës nga 45 anëtarë që ka Kryesia e PD, shkruan Panorama.
Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, në përfundim të afateve për regjistrimin e kandidatëve për kreun e ri të PD-së thirrën mbledhjen e Kryesisë për të përcaktuar kandidatët zyrtarë dhe anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve. Lulzim Basha, i cili ka deklaruar se i ka ngrirë të gjitha funksionet e tij si kryetar i PD-së, nuk mori pjesë në mbledhjen e Kryesisë, e cila u zhvillua me debate të ashpra.
Ishin tre anëtarët e Kryesisë ata që fillimisht u kërkuan dy nënkryetarëve të PD-së të tërhiqeshin nga drejtimi i mbledhjes dhe t’ia delegonin atë sekretarit të përgjithshëm dhe dy sekretarëve organizativë. Kreu i Departamentit të Pronave, Gent Malko, kreu i Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, dhe kreu i Departamentit të Financave, Sherefedin Shehu, kërkuan që mbledhjen ta drejtonte sekretari i përgjithshëm Arben Ristani dhe dy sekretarët Enno Bozdo dhe Fatbardh Kadilli.
PJESE NGA DEBATI NE KRYESI
Gent Malko: Tani duhet të bëjmë diçka të qartë, kërkesa për mbledhjen e kësaj Kryesie është antistatutore, njësoj si procesi që keni nisur për zgjedhjen e kryetarit. Kërkojmë që kjo procedurë antistatutore që keni nisur të ndërpritet. Madje, edhe drejtimin e kësaj mbledhjeje në bazë të statutit duhet ta ketë z.Ristani, Bozdo e Kadilli. Unë dhe kolegët e mi kërkojmë që procedura për zgjedhjen e kryetarit të hidhet në votim, por jo me ngritje duarsh, por me votim të fshehtë. Ky nuk është mendimi im personal, e mbështet 1/6-a e Kryesisë dhe kjo duhet respektuar.
Jamarbër Malltezi: Zhvillimi i procesit për zgjedhjen e kryetarit në një procedurë kaq të shpejtë, e bën procesin qesharak. Po kaq qesharak e bëjnë këtë proces edhe një pjesë e kandidaturave që janë bërë pjesë e garës. Mendoj se fillimisht duhet të nisim një proces analize për humbjen në zgjedhje, pastaj të vijojmë me këtë proces.
Edi Paloka: Ne mund të kemi shumë dëshira dhe sugjerime, që në gjykimin personal të gjithsecilit mund të duken të drejta. Por ne këtu jemi për t’iu referuar vetëm kushtetutës së forcës sonë politike, që është statuti. Dhe statuti na e përcakton se zgjedhjet duhet t’i zhvillojmë më 22 korrik. Në garë do të jenë kandidatët që kanë plotësuar siç duhet procedurën, prej të cilëve rezulton se është vetëm z. Basha dhe z. Selami. Propozoj që këta dy emra të jenë edhe kandidatët zyrtarë në garën për kreun e PD-së. Z. Patozi, pavarësisht vullnetit të shprehur, ka përcaktuar disa kushte për të marrë pjesë në garë, të cilat rrethanat i bëjnë të parealizueshme, ndaj edhe rrjedhimisht nuk mund të kualifikohet si kandidat.
Majlinda Bregu: Nuk më intereson kryetari i PD. As që të merrem me variantin një kundër disave, disa kundër disave se kjo do të thotë shkatërrim përfundimtar i PD. Por ti vëmë kapak se kjo na ra e të dalim të frymëzojmë demokratët për beteja të reja, është tallëse. Si do i frymëzoni? Ua kam thënë prej vitesh këto po s’donit të dëgjonit as të shihnit ku po gremiseshim. Ia kam thënë Bashës këtu në mbledhje, ka 4 vite që ka nisur përçarja e PD. Fryma e përçarjes dhe e linçimit publik për këdo që fliste e kërkonte të shihte brenda nesh çfarë nuk shkonte për humbjet tona. Siç e sheh kjo mbledhje nxori nevojën e tmerrshme që duhet të kishim folur para kësaj mbledhje. Të debatonim, flisnim, bërtisnim po të doni, por të shihnim njeri-tjetrin në sy për gjëmën që na ka zënë.
Arben Imami: Duket sikur treni është për poshtë. Mund të krijohet dhe rikrijohet besimi vetëm me një garë të hapur, te ndershme dhe ku dëgjohen të gjithë. Sipas konceptit tim është shkelur statuti, por nuk është ky thelbi. Mendoj se po bëhet një garë e pandershme. Nëse në një pakicë të dërrmuar si kjo dhe një pjesë e partisë do ta quajë garën të pandershme. Të bëjmë një garë në ndershme që kryetari të jetë i pakontestueshëm. Në qoftë se zoti Basha mban ende ndonjë kandidat rezervë se Eduard Selami ka mundësi të ikë kjo do ta bënte garën qesharake.
Gerti Bogdani: Nëse një njeriu i duhen pas 27 vitesh karrierë politike i duhen edhe 27 ditë ekstra për të shpalosur platformën e tij politike atëherë të kos kandidojë fare. Pandershmërinë e garës e cakton procedura e garës, një anëtar një votë. Dhe boll nxorrëm të palarat tona.
Oerd Bylykbashi: Nuk është çështja kur do të kemi garë, por si do ta kemi garën. Momenti kur ne garantojmë standardet bazë për një proces brenda partisë pavarësisht kush mbetet i pakënaqur për rezultatin. Duhet të kemi liri për kandidatët. Duhet të kemi listë të qartë zgjedhësish dhe kjo të jetë shumë e qartë, transparente për të gjithë. Nga baza kemi pasur raportime se ka anëtarë që nuk janë në listë. Siguroni kandidatët dhe listën e zgjedhësve këto janë kryesore. Garantoni transparencën e procesit. Si po i heqim kandidatët e tjerë duke lënë vetëm dy që të mos kemi probleme pastaj.