Mediat ndërkombëtare të cilat citojnë burime nga Prokuroria e Parisit, shkruajnë se i arrestuari 23-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është një ekstremist i djathë, i cili përveç planifikimit të vrasjes së Macron, kërkonte të kryente sulme ndaj njerëzve me ngjyrë, arabëve, hebrenjve dhe homoseksualëve.
23-vjeçari është arrestuar pasi u zbulua nga policia se po përpiqej të merrte informacion në forumin e një loje e cila ishte nën monitorim, se ku mund të blinte një armë.
I dyshuari është arrestuar në banesën e tij, ndërkohë që pas kontrollit të ushtruar në automjetin që 23-vjeçari kishte, janë gjetur tre thika, ndërsa në kompjuterin e tij është zbuluar se kishte bërë kërkime për shënjestra të mundshme.
I arrestuar ishte dënuar vitin e kaluar me tre vite burg për akuzën e terrorizmit, por gjysma e dënimit të tij ishte pezulluar.
Për shkak se në paradën e “Ditës së Bastijës”, e cila mbahet më 14 korrik, do të jetë i ftuar nderi presidenti i SHBA-së, Donal Trump dhe pas zbulimit të komplotit për vrasjen e Macron, disa mijëra trupa franceze dhe amerikan do të jenë të pranishëm në Champs Elysee dhe Place de la Concorde, duke bërë që ky të jetë një nga operacionet më të mëdha të sigurisë në historinë e Francës.
Gjatë këtij viti në Champs-Elysées, ka patur dy raste sulmi, ku gjatë muajit të kaluar një person përplasi një makinë në të cilën kishte sasi të madhe gazi dhe armë me një fugon policie. Ndërkohë në muajin prill, një tjetër person i armatosur me kallashnikov, qëlloi drejt policit Xavier Jugelen, duke i marrë jetën këtij të fundit.