Nga Spartak Ngjela
Sot po rishkruhet historia e Shqipërisë.
Është historia e Arbërisë mijëvjeçare…
Nuk e ndalon dot askush sot rigjallërimin e jetës së përbashkët të shqiptarëve në Ballkan.
Historia do të rishkruhet.
Vetë shteti shqiptar duhet të reformohet demokrarikisht bashkë me rishkrimin e historisë së shqiptarëve: ky është një kusht i garantuar historik që nuk mund ta shkelë apo ta smbrapsë dot askush
Reformimi i shtetit shqiptar aktualisht është marrë në dorë nga Uashingtoni dhe Brukseli. Dhe kjo është ngjarja historike më e madhe për shqiptarët në 500 vjetët e fundit.
Por, na duhet të theksojmë që është Uashingtoni dhe Berlini që e kanë bindur politikën perëndimore dhe vetë Brukselin drejt së vërtetës historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.
I.
Interesat e Perëndimit tani e kanë sjellë çështjen e Arbërisë në vendin e vet historik, dhe reformimi i shtetit shqiptar ka hyrë që të jetë një çështje historike në rrafsh botëror.
Po të shihet me vëmëndje e kupton se, për politikën amerikane, në dekadat që do të vinë, e rëndësishme është reformimi i hapur territorial i Arbërisë. Kjo në fakt është Shqipëria territoriale.
Por, a e kuptojnë dot këtë liderët politikë shqiptarë të korruptuar në Tiranë? Jo, këta kalamaj janë kundër, dhe duan ta bllokojnë, dhe bashkohen për të kërkuar ndihmë në Athinë dhe Beograd kundër historisë së vendit të tyre.
Në fakt kjo është një ndërmarrje e falimentuar: reforma shqiptare dhe riafirmimi i çështjes shqiptare është i pandalshëm. Risjellja në qartësi të plotë e historisë mijravjeçare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, është sot çështje thelbësore e politikës perëndimore. Për këtë arsye, edhe popullsia çame që jeton në Shqipëri në këtë kohë, duhet të jetë e sigurt se genocidi grek kundër tyre, shumë shpejt do ngrihet ndërkombtarisht siç u ngrit në vitet nëtëdhjetë çështja e Kosovës. Nuk ka as Cipras, as Kocias dhe as Dule që ta ndalojë, sepse është një e vërtetë historike e cila është fshehur ndërkombëtarisht në mënyrë kriminale, duke përfshirë këtu edhe të gjitha qeveritë e Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore.
Il.
Për të gjithë këtë që shprehëm, reforma shqiptare është e pamundur të ndalohet, por ndërkohë po shihet paqartësi edhe nga fituesi i zgjedhjeve të fundit.
A do të kuptojë Rama që nuk drejton dot vetëm Shqipërinë dhe nuk ka më asnjë shans vazhdimi i autokracisë në Shqipëri? Pas kushtetutës së korrikut 2016, autokracia shqiptare nuk është më opsion. Deri tani autokracia shqiptare ka qenë forcë antishqiptare sui generis në Shqipëri: të gjitha kanë shitur interesin shqiptar te fqinjët. Kapitulli i autokracis tanimë është i mbyllur në Shqipëri, kush e aspiron, është i humbur pa filluar kundërshtimin e reformës.
Çdo kryeministër shqiptar duhet ta kuptojë që bota shqiptare në Ballkan është sot epiqendra e politikës amerikane dhe europiano-perëndimore. Jashtë kësaj politike e ka absolutisht të pamundur që të veprojë. Kryeministri shqiptar aktualisht duhet ta ketë të qartë që ai nuk e ndalon dot reformimin perëndimor të Shqipërisë dhe riinstitucionalizimin demokratik të saj që do të vijë me anë të një drejtësie shqiptare të pavarur.
Të gjitha këto vinë në një ekuacion të qartë: bota sot nuk është as nacionale dhe as internacionale – koha jonë është transnacionale. Ky transnacionalizëm ka ardhur dhe është pranuar në Shqipëri me aleancën shqiptaro-amerikane si interes i përbashkët në luftën globale midis Perëndimit dhe Lindjes.
Përqëndrimi i botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë edhe popullsinë milionëshe arvanitase në Greqi, si interes parësor i politikës së Uashingtonit dhe Berlinit, e ka kthyer tani historinë në vendin e saj. Në fumksion të kësaj bota akademike shqiptare duhet të grupohet seriozisht për interesin e lartë kombëtar, sepse në këtë kohë klasa politike shqiptare, jo vetëm që është e korruptuar në të gjitha poret e saj, por as intelektualisht nuk është në gjendje që t’i përgjigjet historisë së re, zhvillimit shoqëror shqiptar, që kërkon dije të thella përëndimorë dhe aftësi të një niveli bashkëkohor perëndimor.
lll.
Duhet një Reformë gjithshqiptare kulturore për afirmimin e gjuhës dhe kulturës së përbashkët në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Duhet të ngrihet prestigji shqiptar nëpërmjet marrëveshjes së shkruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duhet të krijohet sa më shpejt krijimi i unifikimit të të drejtave, në të gjithë legjislacionit, midis Prishtinës dhe Tiranës.
Duhet të krijohet sa më shpejt tregu i përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Duhet të firmoset marrëveshja midis ministrisë shqiptare dhe kosovare të arsimit për unifikimin e arsimit dhe programeve të shkollave të ulta dhe gjimnazeve.
Duhet që kjo marrëveshje të imponohet për të gjitha shkollat shqipe në Mal të Zi, në Serbi dhe në Maqedoni.
Qeveria shqiptare duhet të rivlerësojë marrëveshjen e viteve ’30 me Athinën për arsimin shqiptar në të gjithë Çamërinë.
Duhet që shteti shqiptar t’i bëjë thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë mbaruar iuniversitetet perëndimorë dhe që punojnë në Perëndim të kthehen në Shqipëri sipas një rroge të niveleve perëndimorë; madje, për elitën e tyre, edhe më të lartë.