Pak ditë nga nisja e fushatës për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, por edhe menaxhimin e situatës në terren, puna e kryer nga Task-Froca e Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizimeve po jep efektet e para pozitive me një ulje të rasteve abuzive me ujin e pijshëm. Edhe gjatë ditës së djeshme, 25 grupet e shpërndara në terren kanë vijuar punën për marrjen e masave për shkak të thatësirës së zgjatur dhe temperaturave të larta.
Grupet e Task-Forcës, me ndihmën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, vijuan aksionin duke u fokusuar kryesisht në zonën e Dajtit, Farkës, Kasharit, Babrru kodër/shpat dhe qendër, Sauk i ri si dhe në linjat e transmetimit DN 700 dhe DN 1000, ku edhe numri i atyre që abuzojnë me ujin e pijshëm është më i madh.
Në vëmendjen e grupit Task-Force ka qenë dhe monitorimi i situatës së furnizimit me ujë të pijshëm dhe evidentimit të atyre që shpërdorojnë apo kanë bërë lidhje të paligjshme brenda qytetit, si në rrugën e Luleve, Njësia Administrative Nr. 5; rruga “Mihal Grameno”, rruga “Sadik Petrela”, “Ali Demi”, zona e Bllokut, Dogana, Fusha e Aviacionit, si dhe zona e Unazës së re dhe e Zogut të Zi.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, grupet e punës verifikuan 908 abonentë, familjarë dhe biznese, ku 26 prej tyre janë lavazhe. Gjatë kontrolleve janë identifikuar dhe shkëputur 169 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje, ndërsa kanë vendosur 28 gjoba për familjarë dhe 13 për biznese të ndryshme.
Në total, numri i prerjeve të lidhjeve të paligjshme ka shkuar në mbi 700 raste, një pjesë e të cilave u janë referuar organeve ligjzbatuese të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.
Si pasojë e masave të marra nga Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime, janë lidhur 82 kontrata të reja për ujin e pijshëm si dhe 21 aktmarrëveshje. Gjithashtu, janë vendosur edhe 161 matësa uji.
Qytetarët kanë në dispozicion dy numra telefoni, 08004488 të Ujësjellësit të Tiranës dhe atë të Bashkisë së Tiranës 08000888, për të raportuar problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, apo të denoncojnë rastet e abuzimit të cilat dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit.