Safet Sushiç, i përfolur si pasardhësi i Albert Bunjakit, në krye të kombëtares së Kosovës, të dielën ka folur për spekulimet lidhur me të dhe ekipin e Kosovës.Duke folur për portalin pranë federatës boshnjake, reprezentacija.ba, Sushiç ka thënë se nuk di asgjë rreth kësaj.
“Nuk jam as afër, që të udhëheq Kosovën. Nuk kishte ndërprerje të bisedimeve, pasi as që ka pasur bisedime. Madje askush, as që më ka thirr nga Prishtina, që të dijë nëse jam i interesuar”, ka thënë Sushiç, transmeton KTV.
Trajneri boshnjak, është aktualisht trajner i AntalyaSporit në Turqi dhe i pyetur nëse do ta udhëhiqte Kosovën, Sushiçi ka thënë se nuk do të flasë me hipoteza.“Nuk do të flisja kështu, por edhe nëse ndodh, nuk dua të udhëheq një kombëtare e cila nuk ka synime apo ambicie për t’u kualifikuar në kampionat botëror apo evropian”, ka shtuar ai.
Megjithatë trajneri boshnjak, në faqen e tij në Facebook, ditë më parë, e kishte shpërndarë një artikull, nga Goal.com, që fliste për spekulimet, që ai të bëhej përzgjedhës i Kosovës. (b.an)