Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se nesër do jetë në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nëpërmjet një postimi në statusin e tij Facebook, Thaçi shprehet:“Së bashku me zonjën Mogherini dhe presidentin e Serbisë, do të diskutojmë dhe shkëmbejmë idetë fillestare për mënyrën se si do të vazhdojmë dialogun në fazën e re dhe objektivat që synojmë të arrijmë në kuadër të procesit të normalizimit. Ky është vetëm takimi fillestar në këtë fazë të re të dialogut, që dëshmon përkushtimin tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, që është kriter kyç për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO”.
Thaçi shton se “Duke marrë në kosideratë detyrat e shumta që i presin institucionet e reja që duhet të krijohen pa humbur kohë, ftoj për untitet të gjitha partitë politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës në të gjitha çështjet e interesit shtetëror. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pikërisht një çështje prioritare e interesit shtetëror, prandaj unë do të punoj me këmbëngulje që të jemi të bashkuar si institucione shtetërore dhe parti politike parlamentare pa përjashtim. HTH”. /b.d