Vatikani ka sinjalizuar një rinovim të administratës së tij, me Papa Françeskun që ka zëvendësuar teologun e tij kryesor, një kardinal konservator gjerman, i cili nuk e ka favorizuar shumë vizionin e kreut të Selisë së Shenjtë për një kishë më gjithëpërfshirëse.
Në një deklaratë të shkurtër, Vatikani njoftoi se mandati 5-vjeçar i kardinalit Gerhard Ludëig Müller, si kreu i Kongregacionit për Doktrinën e Besimit, një departament kyç ky, nuk do të rinovohej.
69-vjeçari Müller, i cili ishte emëruar nga Papa Benedikti në vitin 2012 do të pasohet nga zëvendësi i tij, arqipeshkvi Luis Francisco Ferrer.
73-vjeçari spanjoll, i cili ashtu si Papa argjentinas është pjesëtar i urdhrit Jezuit, thuhet se i shmang daljet publike, ndryshe nga Müller që shfaqej shpesh në media.
Që prej zgjedhjes së tij në vitin 2013, Papa Françesku i ka dhënë shpresa progresistëve, që duan që ai të vazhdojë përpara me vizionin e tij për një kishë më mikpritëse, e që përqendrohet më shumë te mëshira, sesa rregullat strikte.
Müller është një prej kardinalëve në Vatikan që ka debatuar publikisht me Papën, duke e kritikuar atë për përpjekjen për të zbutur rregullat e kishës, e për t’i hapur dyert edhe anëtarëve të tillë si ata që janë rimartuar pas divorceve, përgatiti Express. (b.an)